Në një vit të kaosit për të gjitha sportet në botë, të shkaktuar nga koronavirusi, Lidhja e Futbollit e Filipineve (PFL), ka dalë me një zgjidhje ekstreme: shkurtimin e edicionit të kampionatit të futbollit në vetëm dy javë, me secilën skuadër që luan vetëm një herë.
Pas ndërprerjes së edicionit të shkuar në muajin mars, edicioni i ri filloi me dyer të mbyllura të mërkurën në një kompleks të sigurt në Qendrën Kombëtare të Trajnimit, 40 kilometra në jug të kryeqytetit, Manila. United City fitoi 1:0 kundër Azkals Development Team dhe Kaya FC Iloilo mundi Maharlika Manilar me të njëjtin rezultat në kampionatin që nisi me vonesë pas një serie të rezultateve pozitive për koronavirus të futbollistëve dhe për shkak të një tajfuni, shkruan AFP, përcjell KOHA.
Formati i pazakontë i kampionatit, i transmetuar në mediat sociale dhe që do të përfundojë më 12 nëntor, do të thotë që gjashtë skuadrat kanë vetëm një mundësi për titull, duke e kthyer çdo ndeshje në një finale. Menaxheri i ligës, Don Palami, tha se ndryshimi i formatit të kampionatit është bërë për arsye financiare me të gjithë zyrtarët, stafin dhe lojtarët që qëndrojnë në hotele dhe më pas transportohen në ndeshje. Gjithashtu pranoi se edhe rreziku nga koronavirusi ka ndikuar në këtë vendim.
“Kjo përfshin shumë punë logjistike dhe kërkesa financiare, të cilat në këtë moment nuk mund t'i përmbushim”, tha Palami.
Në kushte normale, secila skuadër do të luante katër herë me ekipet e tjera, por efektet e pandemisë Covid-19 e kanë bërë të pamundur një gjë të tillë. Filipinet janë goditur rëndë nga virusi, me më shumë se 375 mijë raste të konfirmuara dhe mbi shtatë mijë të vdekur.
“Ka pak para dhe kostot janë rritur shpejt”, shtoi Palami. “Të gjitha ekipet janë në një hotel, testet për koronavirus po bëhen rregullisht dhe ka shpenzime të mëdha që nuk mund të përballohen nga askush”.
Përkundër formatit të pazakontë, PFL-ja pyeti skuadrat dhe sponsorët nëse dëshironin të vazhdonin me sezonin e shkurtuar dhe përgjigjja ishte një “po” kumbuese nga të gjithë.