Ronald Koeman përqafoi Lionel Messin dhe në atë moment gjithçka u duk përsëri mirë. Skuadra e Barcelonës reagoi pas dorëheqjes së presidentit Josep Maria Bartomeu, të martën, duke mundur Juventusin 24 orë më vonë, raporton AFP.
“Kjo ishte paraqitja jonë më e mirë e sezonit”, tha Koeman menjëherë pasi kishte parë Messin të shënonte nga penalltia për fitoren 2:0 në Torino, e cila fitore e dërgoi skuadrën e tij në krye të grupit G të Ligës së Kampionëve pas dy ndeshjeve të luajtura, me gjashtë pikë të grumbulluara.
Në fund, regjimi përçarës i Bartomeut kishte acaruar të gjithë te Barça, marrëdhënia e tij me lojtarët kryesorë u prish, transmeton KOHA.
Doli në pah edhe një ndjenjë e çlirimit, në performancën e lojtarëve pas dorëheqjes së Bartomeut. Një ekip që në fillim nuk dukej i motivuar papritmas dha shenja jete. Ndonëse pak persona do të ankohen për largimin e Bartomeut, ngritja fillestare do të jetë më e vështirë për t'u mbështetur, pasi zgjidhja e problemeve me rrënjë të thella kërkon më shumë kohë. Mes tifozëve, shpresa më e madhe do të jetë ndryshimi në krye që do të sjellë një ndryshim të zemrës edhe për Messin. Kur ylli argjentinas u pyet se përse donte të largohej në gusht, Messi tha: “E vërteta është se nuk ka pasur asnjë projekt ose ndonjë gjë për një kohë të gjatë”.
Ai tha se kishte “shumë gjëra” prapa pakënaqësisë së tij. E para që iu referua ishte “dëshira për një projekt fitues”. Por ai projekt fitues që Messi e dëshiron, përkatësisht suksesi në Ligën e Kampionëve, mund të mos vijë për një kohë, edhe pa Bartomeun në krye të ekipit. Dhe të paktën me Bartomeun si president, Messi kishte një arsye të fortë për ta lënë ekipin që edhe tifozët e Barçës mund ta kuptonin. Në fakt, një pjesë e madhe e mbështetësve dukej se ishin në krah të Messit, edhe nëse kjo do të thoshte se kapiteni i tyre do të përfundonte në fanellën e Manchester Cityt. Në vend të kësaj një president i ri do të premtojë risi dhe do të sjellë shpresë. Drejtuesit do të zotohen të bëjnë gjithçka për të bindur Messin të mbetet në “Camp Nou”. Disa kandidatë mund të varen nga fushata e tyre përreth Messit.