Sport

Bashkimi me mund fiton ndaj Trepçës, Ylli i revanshohet Pontes

Bashkimi me mund fiton ndaj Trepçës, Ylli i revanshohet Pontes

Mojeed Ewuosho dështoi në aksionin e fundit të Trepçës për t’i mundësuar skuadrës së Bashkimit që edicionin e ri në Superligën e Kosovës në basketboll ta nisë me fitore të ngushtë. Në ndeshjen e xhiros së parë, që u zhvillua të enjten mbrëma në palestrën “Sezai Surroi”, Bashkimi triumfoi me rezultatin 73:72. Për Bashkimin, që u mposht në finalen e Superkupës së Kosovës vikendin e shkuar nga Sigal Prishtina, fitorja në xhiron e parë të sezonit të ri ishte shumë e rëndësishme pasi luante në shtëpi.

Basketbollisti nga Mali i Zi, Nikola Vukçeviq, ka udhëhequr ekipin nga Prizreni drejt këtij triumfi ndaj Trepçës. Ai ndeshjen e mbylli me 22 pikë të shënuara derisa në këtë fitore kontribuuan edhe Shaq Carter (16), Ujkan Karanezi (13) e Musab Mala (12 pikë).