Sport

Ndonëse pa shikues dhe me skuadrat në formë të luhatshme, Clasico mbetet e veçantë

Descriptive Text

Real Madridi triumfoi në La Liga vetëm tre muaj më parë, falë mbrojtjes së hekurt dhe një vullneti të pamëshirshëm për të fituar. Por në ndeshjen “El Clasico” ndaj Barcelonës, madrilenët nuk do të futen si një ekip i tillë.

“El Clasico” e parë e këtij sezoni luhet të shtunën (sot) në stadiumin “Camp Nou” prej orës 16:00 dhe i takon xhiros së shtatë të kampionatit spanjoll. Ndeshja do të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura.

Reali në këtë derbi futet pas një serie negative dhe me humbje eventuale do të regjistronte disfatën e tretë rresht brenda një jave. Pasi humbi 1:0 në shtëpi nga Cadizi për herë të parë në histori fundjavën e kaluar, Reali pësoi 3:2 edhe në Ligën e Kampionëve nga Shakhtar Donetsku të mërkurën mbrëma, transmeton KOHA shkrimin e AFPK-së.

Këto dy humbje kanë alarmuar edhe trajnerin Zinedine Zidane derisa mediumet spanjolle po insistojnë që kjo skuadër nuk është as hija e atij ekipi që ishte i pamposhtur gjatë muajve qershor e korrik. Aktualisht Reali zë vendin e tretë në La Liga me dhjetë pikë të tubuara pas pesë ndeshjeve derisa Barcelona ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe është në kuotën e shtatë pikëve. Pavarësisht formës së dobët të Realit në dy ndeshjet e fundit, në kampin madrilen janë të bindur se do të reflektojnë në derbin më të madh të Spanjës. Shpresë Realit i jep edhe fakti se trajneri Zidane nuk ka pësuar humbje në pesë vizitat e tij në “Camp Nou”.

“Dy humbje për një javë është një gjë, por tri, e fundit prej tyre kundër Barcelonës, do të ndryshonte dinamikën te Reali dhe e ardhmja e Zidanet do të vihej në dyshim të madh”, ka shkruar “Marca”.

Realit për duelin me Barcelonën do t’i kthehet në fushë kapiteni Sergio Ramos që mungoi ndaj Shakhtarit shkaku i dëmtimit derisa lojtarët e tjerë janë plotësisht të gatshëm.

“E kemi parasysh se ndeshja do të luhet në stadiumin e zbrazët që është mëkat, por ‘Clasico’ është gjithmonë duel special. Është e rëndësishme që ta nisim lojën mirë. Natyrisht që nuk do të jetë lehtë sepse Barcelona luan futboll të mirë dhe i komplikon gjërat për kundërshtarin. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por është mundësi e mirë për ne për shkak se duhet të reflektojmë pas dy humbjeve të fundit“, ka pranuar Zidane në konferencën për shtyp të premten. “Nuk do të jetë problem për t’i motivuar lojtarët, sepse të gjithë e kanë parasysh rëndësinë e përballjes me Barcelonën. Besoj në një paraqitje të mirë nëpërmjet së cilës do të tregojmë imazhin tonë. Është një ndeshje që mund t’i ndryshojë gjërat pozitivisht për ne dhe për këtë arsye jemi të gatshëm për të luftuar”.