Sport

Prishtina e Bashkimi garojnë për Superkupë

Descriptive Text

 Sigal Prishtina dhe Bashkimi do të takohen në finalen e Superkupës së Kosovës në basketboll. Të dy ekipet të premten mbrëma triumfuan në ndeshjet gjysmëfinale të zhvilluara në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, për ta konfirmuar kalimin në finale.

Ndeshja finale e Superkupës, që këtë herë është organizuar në formë turneu, do të zhvillohet të dielën në palestrën “Karagaçi” në Pejë prej orës 17:00.

Në gjysmëfinalen e parë, Sigal Prishtina ishte më e mirë se skuadra e Rahovecit, të cilën e mposhti me shifrat 89:84, por vetëm pas vazhdimit. Koha e rregullt e ndeshjes përfundoi me rezultatin 73:73 derisa në vazhdimin prej pesë minutave, Prishtina ishte më efikase dhe e siguroi fitoren. Për Prishtinën kjo ishte fitorja e dytë brenda tri ditëve, pasi në çerekfinale triumfoi ndaj skuadrës së Vëllaznimit. Drejt kalimit në finale, Prishtinën e udhëhoqën tre basketbollistë të cilët ndeshjen arritën ta mbyllin me pikë dyshifrore. Arian Qallaku ishte më efikasi me 29 pikë e dhjetë kërcime, i përcjellë nga Fisnik Rugova që gjithashtu pati “double-double” prej 15 pikëve e 14 kërcimeve, derisa Altin Morina kontribuoi me 17 pikë të shënuara.

Te skuadra e Rahovecit vetëm dy lojtarë arritën ta mbyllin ndeshjen me pikë dyshifrore. Marvin Jones ishte më i dalluari me 32 pikë të shënuara derisa Isaiah Traylor shtoi 26 pikë që nuk ishin të mjaftueshme për Rahovecin që ta prekë finalen e Superkupës.

Edhe skuadra e Bashkimit u djersit mirë për ta siguruar finalen. Në gjysmëfinalen e dytë arriti ta mposhtë rivalin lokal, Ponte Prizrenin, me rezultatin 87:82. Për Bashkimin, ky ishte triumfi i dytë brenda dy ditësh pasi të enjten mbrëma në çerekfinale e mposhti skuadrën e Pejës.

Fituesi i këtij takimi u përcaktua në minutat e fundit të ndeshjes, ndonëse skuadra e Bashkimit për pjesën më të madhe të takimit ishte në epërsi. Edhe në këtë fitore te Bashkimi më efikasi ishte Nikolla Vukçeviq, që ndeshjen e përfundoi me 24 pikë të shënuara, duke lënë pas vetes lojtarët, si Shaq Carter (19), Sean Hoehn (18) e Musab Bala (15) që realizuan pikë dyshifrore. Te Ponte Prizreni, lojtari më i mirë ishte amerikani Ty Nichols me 23 pikë të shënuara, gjashtë kërcime e gjashtë asistime. Arti Hajdari pati 16 pikë derisa Justin Jones e mbylli ndeshjen me 15 pikë.

Para finales së meshkujve, në Pejë prej orës 14:00 të dielën do të zhvillohet finalja në konkurrencën e femrave ku do të përballen Bashkimi me Prishtinën. Turneu i Superkupës nisi të martën në Gjakovë për të vazhduar në Prizren e Suharekë, përpara se të mbyllet në Pejë. Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll do të nisë më 28 tetor, tre ditë pas përfundimit të Superkupës së Kosovës.