Sport

Rashica u kthehet stërvitjeve

Milot Rashica i ka nisur përgatitjet me skuadrën e Werder Bremenit, pas dështimit që të transferohet te ndonjë klub tjetër.

Werderi ka bërë të ditur se 24-vjeçari është kthyer në stërvitje me ekipin, por nuk është bërë e ditur se a do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundjavës kundër Freiburgut që luhet të shtunën.

Rashica ishte lënduar me Kosovën në duelin e 4 shtatorit ndaj Moldavisë.

Futbollisti nga Vushtrria ishte afër largimit nga Werderi, por që nuk ia doli pasi klubi gjerman nuk e shiti për shkak të ofertave të ulëta.

Pas kësaj, atij i është dhënë një javë pushim, për të marrë veten pas dështimit të transferimit te ndonjë klub tjetër.

Rashica nuk u ftua nga Kosova për ndeshjet e tetorit, siç u tha për shkak të lëndimit.