Sport

Fituesit dhe humbësit e afatit kalimtar në futbollin evropian

Emocionet e afatit kalimtar veror në futboll kanë marrë fund deri në vitin e ardhshëm. Pavarësisht ndikimit të pandemisë së koronavirusit, ka qenë periudhë e ngarkuar me transferime të shumta, në pothuajse të gjitha top-klubet evropiane.

Ka shumë transferime të planifikuara që dështuan, por pati edhe shumë befasi.

Por cilat klube, lojtarë apo trajnerë patën sukses në këtë afat kalimtar, e cilët dështuan? “GOAL” ka bërë një renditje të fituesve dhe humbësve të afatit kalimtar veror 2020.

Fitues: Chelsea

Chelsea ishte ndër shpenzuesit më të mëdhenj këtë verë. Klubi londinez ka transferuar dy superyjet e Gjermanisë, Timo Werner dhe Kai Havertz, yllin e Ajaxit, Hakim Ziyech, anësorin e Leicesterit Ben Chillwell, qendërmbrojtësin Thiago Silva dhe portierin Edouard Mendy. “Blutë” kanë shpenzuar më shumë se 200 milionë funte për skuadrën e Frank Lampardit në Stamford Bridge.

Humbës: Lionel Messi

Lionel Messi kishte qenë shumë i qartë në fillim të shtatorit kur shprehu publikisht qëndrimin se dëshiron të largohet nga Barcelona këtë verë. Por argjentinasi ka mbetur në Camp Nou për shkak se s’deshi të hynte në betejë ligjore me klubin. Pos që s’arriti të realizonte idenë për largim, Messi mbeti “i vetëm”. Atij iu largua edhe shoku i afërt, Luis Suarez, që kaloi tek Atletico Madridi.

Fitues: Real Madridi dhe të larguarit

Teksa Real Madridi ka qenë një nga klubet më të qeta në Evropë në këtë afat kalimtar, “Los Blancos” siguruan më shumë se 80 milionë euro përmes shitjes së Achraf Hakimit, Sergio Reguilonit dhe Oscar Rodriguezit. Pasi që edhe Gareth Bale e James Rodriguez nuk ishin pjesë e planeve të Zidanet, të dy u larguan drejt Premier Ligës, me Jamesin që tashmë ka nisur të shkëlqejë nën urdhrat e Carlo Ancelottit tek Evertoni. Bale u huazua te Tottenhami.

Humbës: Manchester Unitedi

Manchester Unitedi nuk po arrin të këndellet që nga largimi i Alex Fergusonit. Jadon Sancho i Dortmundit u përfol shumë gjatë se do t’iu bashkohet “Djajve të Kuq”, por në fund kjo nuk u përmbush. Në vend të tij, kampioni anglez transferoi mesfushorin e Ajaxit, Donny van de Beek. Në ditën e fundit, klubi transferoi Edinson Cavanin, Alex Tellesin, Amad Diallon dhe Facundo Pellestrin. Gjithsesi, pas humbjes 6:1 nga Tottenhami të dielën, klubi duket të ketë mbetur pa një qendërmbrojtës në nivel të lartë.

Fitues: Bayerni dhe Dortmundi

Skuadra e Lucien Favres mund të ndihet se ka pasur sukses këtë merkato pasi ka mbajtur supertalentin Sancho. Jude Bellingham është talenti i ri që iu shtua listës së lojtarëve të Dortmundit. Edhe transferimi i Thomas Meunierit nga PSG-ja konsiderohet përforcim i mirë për mbrojtjen.

Por, kampioni gjerman Bayern Munich mbetet larg edhe me transferime. Leroy Sane, Douglas Costa, Tanguy Kouassi, Eric Maxim Choupo-Moting dhe Marc Roca iu shtuan skuadrës nga e cila u largua Thiago Alcantara.

Humbëse: Lazio

Nuk kanë qenë muajt më të mirë për tifozët e Lazios. Klubi fillimisht u nis drejt David Silvas, por ai përfundoi te Real Sociedadi. Drejtori sportiv Igli Tare u shpreh i zhgënjyer me transferimin e lojtarit drejt Spanjës. Klubi ka transferuar edhe sulmuesin kosovar Vedat Muriqi.

Fitues: Antonio Conte

Pas humbjes së Interit nga Sevilla në finale të Ligës së Evropës, Antonio Conte kishte paralajmëruar se do të laroghet. Por ai u bind të qëndrojë me Interin që mirëpriti në skuadër Arturo Vidalin, Aleksandar Kolarovin e Matteo Darmianin teksa huazimi i Alexis Sanchezit u bë transferim i përhershëm.

Humbëse: Valencia

Valencia ka kaluar nëpër një krizë të thellë në dekadën e fundit. Kriza financiare u përkeqësua me ardhjen e pandemisë. Vendimi i hershëm në afat kalimtar i klubit ishte që të shiten shumë lojtarë. Një nga ta ishte Rodrigo Moreno që iu bashkua Leedsit, Ferran Torresi që iu bashkua Manchester Cityt dhe dyshja Dani Parejo e Francis Coquelin që kaluan te Villarrealli.

Fituese: Aston Villa

Fitorja 7:2 ndaj kampionit Liverpool ishte ndër rezultatet më befasuese në historinë e Premier Ligës. Aston Villa dëshmoi se skuadra e re është larg nga ajo që ishte sezonin e shkuar kur mezi mbijetoi. Me transferimet e Ollie Watkins, Emiliano Martinezit dhe huazimin e Ross Barkleyt, Aston Villa ka nisur për mrekulli sezonin e ri në Premier Ligë me tri fitore në po aq ndeshje.