Në ndeshjen e parë si startues, Mërgim Vojvoda ka lënë gjurmë në Serie A. Mbrojtësi i krahut të djathtë i Kosovës, Vojvoda, të shtunën kompletoi ndeshjen te Torino, që humbi 4:2 nga Atalanta.
Vojvoda asistoi në ndeshjen e xhiros së dytë të Serie A. Ai në xhiron e parë luajti pak minuta ndaj Fiorentinas. Por menjëherë në xhiron e dytë zuri vend në përbërjen bazë.
Vojvoda në minutën e 43-të shërbeu bukur në zonë kapitenin Andrea Belotti që shënoi me kokë për 3:2.
Vojvoda, 25-vjeçar, është shprehur i lumtur me paraqitjen ndaj Atalantas, por jo edhe me rezultatin.
“Ka qenë një ndeshje e vështirë dhe sigurisht që nuk jam i kënaqur me rezultatin. Jam i lumtur që arrita të asistoj, megjithatë rezultati gjithmonë është më i rëndësishmi”, ka thënë Vojvoda të dielën për KOHËN.
Në fillim të edicionit Vojvoda luajti për Standardin belg. Te Standardi kompletoi tri ndeshje kampionale, kurse më 26 gusht bëri hapin e madh në karrierë duke u transferuar te Torino.
Vojvoda pranon se kalimi në Serie A është hap i rëndësishëm në karrierën e tij. Ai thotë se puna e madhe ka bërë që ta bëj këtë lëvizje para në karrierë.
“Jam i lumtur që jam pjesë e Torinos. Kam punuar shumë të arrij këtë dhe sigurisht që ky është rezultat i punës që kam bërë vazhdimisht”, potencoi Vojvoda. Mbrojtësi thotë se synimi i tij te klubi torinez është të rritet dhe të përmirësohet edhe më shumë si futbollist.
“Fillimisht shpresoj të rritem sa më shumë si lojtar dhe të përmirësohem edhe më shumë. Shpresoj gjithashtu të arrij të ndihmoj sa më shumë ekipin që të kemi rezultate pozitive”, ka thënë Vojvoda, që te Kosova është zgjedhja e parë për pozitën e mbrojtësit të djathtë.
“Sigurisht që debutimi në Serie A ishte një ndjenjë tejet e mirë. Nuk do ta harroj kurrë këtë moment, jam i lumtur që kam arritur debutimin tim menjëherë dhe gjithmonë do ta mbaj mend”, ka theksuar Vojvoda.