Sport

Me Mirjeta Bytyqin, Kosova fiton një top-hendbolliste të zhvilluar në Slloveni

Descriptive Text

Në ndeshjen e parë shënoi shtatë herë nga shtatë tentime. Në të dytën pesë herë nga pesë tentime. Mirjeta Bytyqi është prej lojtareve kryesore te skuadra sllovene e hendbollit, Mlinotest Ajdovshçina.

Aloja e djathtë, që luan me dorën e majtë, ka kohë që shkëlqen në kampionatin e Sllovenisë në hendboll. Dhe tani prej shërbimeve të saj do të përfitojë edhe përfaqësuesja e Kosovës në hendboll.

Bytyqi 23-vjeçare ka debutuar për Kosovën në një turne miqësor të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar. Për shkak të pandemisë Kosova këtë vit nuk ka luajtur ende, ndërsa Bytyqi vitin tjetër e fiton të drejtën të luajë për Kosovën në ndeshje zyrtare. Të drejtën nuk e ka ende për shkak se në të kaluarën ishte pjesë e Sllovenisë. Ka luajtur, ndër të tjera, edhe në lojërat mesdhetare “Tarragona 2018”. Duhet të kalojnë tre vjet nga paraqitja e fundit që Bytyqi të fitojë të drejtën që të luajë për Kosovën.

Në Turqi është shquar me angazhim e përkushtim, dhe pritjet janë që Bytyqi të bëhet prej lojtareve kryesore te Kosova. Paraqitjet te Asdovshçina janë thuajse garanci për këtë.

Ajo e ka nisur edicionin e pestë te Ajdovshçina.

“Ajdovshçina është një prej klubeve më të mira në Slloveni. Sa i takon aspektit organizativ dhe financiar, jemi në gjendje shumë të mirë. Që nga fillimi jam adaptuar shumë mirë këtu. Menjëherë jam përshtatur me ambientin, ekipin, trajnerin dhe filozofinë e klubit”, ka thënë Mirjeta Bytyqi në një bisedë për KOHËN.

Për edicionin që tashmë ka nisur, Bytyqi ka synime që të zhvillohet edhe më tej si lojtare dhe të ndihmojë ekipin të marrë rezultate sa më të mira.

“Dëshira është që të përsërisim suksesin e vitit të kaluar, kur u renditëm në vendin e dytë në Superligën e Sllovenisë. Por thellë në brendi, të gjithë shpresojmë që të arrijmë vendin e parë. Edhe punojmë shumë për këtë”.

Bytyqi është ende duke u ngritur si lojtare dhe nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të transferohet në ndonjë ligë edhe më të fortë evropiane. Aktualisht është e fokusuar te skuadra ku luan.