Në kohën kur pritet transferimi te ndonjë skuadër tjetër, Milot Rashica është duke e sanuar një lëndim të gjurit që e ka pësuar në ndeshjen e Kosovës ndaj Moldavisë, në fillim të muajit.
Rashica i ka munguar Werder Bremenit në tri ndeshje prej atëherë, në një ndeshje miqësore, në ndeshjen për Kupë të Gjermanisë dhe atë në hapje të Bundesligës. Në xhiron e parë të Bundesligës, Werderi pësoi 4:1 nga Hertha Berlini.
Werderi të shtunën luan në udhëtim ndaj Schalkes, por pa Rashicën në përbërje. Mungesën e Rashicës të enjten e ka konfirmuar trajneri i Werderit, Florian Kohfeldt.
“Ai ka bërë hapin e parë drejt stërvitjes ekipore dhe e ka përballuar mirë. Por ai nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në dy stërvitje rresht. Ai ka stërvitur sot dhe do të stërvit edhe nesër individualisht. Javën tjetër do të vazhdojë me stërvitje me skuadër me shpresë se mund të luajë ndaj Bielefeldit”, ka thënë Kohfeldt. Ndeshja ndaj Bielfeldit është e fundit e Werderit para se lojtarët të lirohen për ndeshjet e përfaqësueseve. Nuk dihet ende nëse Rashica do të jetë gati për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut. Për më tepër nuk dihet nëse deri atëherë do të jetë pjesë e Werderit.
Drejtori sportiv i Werder Bremenit, Frank Baumann ka thënë të enjten se nuk ka zhvillime të reja sa i takon transferimit të Rashicës.