Sport

Daku trimërohet pas “hat-trickut”, synon titullin me Ballkanin

Mirlind Daku nuk e sheh të ardhmen e tij në Kosovë. Është kthyer nga Kroacia për të qëndruar vetëm edhe këtë edicion, që nisi të premten.

Por, ai shpreson ta lërë Kosovën si kampion dhe si golashënuesi më i mirë i Superligës. Me Ballkanin, ku edhe është huazuar deri në fund të edicionit 2020/2021 nga Osijeku i Kroacisë, e ka nisur mbarë. Shënoi tre gola në ndeshjen kundër Besës, të cilën Ballkani e fitoi me rezultatin 4:1 të shtunën. Daku shpreson ta ndihmojë skuadrën nga Suhareka për ta realizuar synimin kryesor të këtij edicioni – të fitojë titullin e kampionit.

Në fakt, Daku te Ballkani është në huazim prej janarit të këtij viti. Luajti edhe në stinorin pranveror të edicionit të kaluar 2019/2020. Për gjashtë muaj i huazuar ishte edhe te Kukësi.

“Këtë sezon do të më përcjellin shumë nga ekipi im Osijeku, kështu që do të mundohem të paraqitem në mënyrën më të mirë që ose të kthehem tek Osijeku ose të kërkoj ndonjë aventurë të re në ndonjë klub në Evropë. Por, shpresoj që të arrij atë që dua dhe pastaj të iki atje. Qëllimi është që me të përfunduar ky sezon, të largohem nga Kosova”, ka thënë Daku të dielën për KOHËN.

Daku tre golat e tij kundër Besës i shënoi në pjesën e dytë. Golin e parë e shënoi në minutën 52-të, të dytin një minutë më vonë, derisa të tretin nga penalltia në minutën e 69-të.

Daku insiston se është i etur për të pasur sukses këtë edicion si me Ballkanin, ashtu edhe në rrafshin personal. Fitoren ndaj Besës e vlerëson si hap të madh.

“Është fitore që tregon se do të jemi një Ballkan që do të shkojmë hap pas hapi dhe ndeshje për ndeshje. Nuk do të lejojmë që gabimet e sezonit të kaluar të na përsëriten sërish. Jam i etur për sukses duke marrë parasysh që ato dy vjetët që më kanë shkuar huq të mundohem t’i kompensoj këtë edicion. Dua të shënoj sa më shumë gola për ta ndihmuar ekipin”, është shprehur Daku.