Sport

Drita e Sileksi respektojnë njëra-tjetrën, kërkojnë kalimin tutje në Evropë

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, gjatë konferencës për media të mbajtur të mërkurën në Shkup, ka numëruar disa përparësi që i ka Sileksi, kundërshtari i ekipit të tij në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës. Ka thënë se futbollistët e skuadrës nga Kratova vrapojnë shumë dhe luajnë futboll të mirë. Njëjtë ka vepruar edhe trajneri i Sileksit, Goran Simov, që, sipas tij, Drita ka ekip cilësor me futbollistë të nivelit të futbollit maqedonas. Por, si Nuhiu ashtu edhe Simov kërkojnë kalimin tutje në Evropë. Ndeshja Sileks – Drita do të zhvillohet të enjten (sot, 20:00) në stadiumin “Toshe Proeski Arena” të Shkupit. Trajneri i Dritës, Nuhiu, beson se ekipi tij ka cilësitë e duhura për të avancuar tutje në këtë garë.

“Siç e dini, në Kosovë e kemi pasur të ndaluar të luanim ndeshje miqësore. Kemi zhvilluar edhe një ndeshje dhe në këto gjashtë ditët e fundit kemi qenë në Durrës për përgatitjet për kundërshtarët. E kemi analizuar kundërshtarin në detajet më të vogla. Është një kundërshtar që vrapon shumë, luan futboll të mirë, duhet të jemi të vëmendshëm. Kemi edhe ne kualitetet dhe cilësitë tona. Jam i bindur se futbollistët do të bëjnë më të mirën në këtë ndeshje. Do të provojmë ta kalojmë për të vazhduar tutje në këtë garë”, ka thënë Nuhiu.

Në konferencë, një ditë para ndeshjes së bashku me Nuhiun ishte edhe kapiteni i Dritës, Ardian Limani. Edhe Limani ka thënë se Sileksi ka një përparësi të vogël, pasi tashmë i ka luajtur pesë ndeshje në kuadër të kampionatit të Maqedonisë së Veriut që tashmë ka nisur. Por ai ka shtuar se Drita mund ta kalojë këtë raund garash.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse kemi parë ekipin e Sileksit që është një skuadër shumë e fortë. Kemi pasur mundësinë që t'i bëjmë disa analiza dhe mendoj që gjasat i kemi të barabarta ani pse ata ndoshta e kanë një përparësi të vogël sepse vetëm janë futur në ritmin e lojërave duke zhvilluar pesë ose gjashtë lojë kampionale. Por edhe ne ditëve të fundit kemi zhvilluar një miqësore dhe mendoj që do t'i qasemi ndeshjes shumë mirë dhe jemi përgatitur maksimalisht për ta luajtur këtë ndeshje në mënyrën më të mirë”, është shprehur Limani.

Drita të mërkurën në mëngjes ka mbërritur në Shkup. Po të mërkurën në mbrëmje gjilanasit e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes me Sileksin. Drita si kampione e Kosovës rrugëtimin në arenën ndërkombëtare e nisi me turneun preliminar të Ligës së Kampionëve. Drita u eliminua në finale të turneut kualifikues, pasi në gjysmëfinale triumfoi ndaj Inter d’Escaldesit të Andorrës. Ishin rastet pozitive me koronavirus te skuadra gjilanase që e detyruan UEFA-n të marrë vendim për eliminimin e Dritës nga Liga e Kampionëve, me rezultat zyrtar. Kështu Drita, sipas Rregullores, vazhdon në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës. Për Dritën është hera e dytë që paraqitet në arenën ndërkombëtare. Para dy vjetësh, pas eliminimit në raundin e parë eliminator të “Championsit”, u eliminua në raundin e dytë eliminator të Ligës së Evropës. Ndërkohë Sileksi po paraqitet për herën e nëntë, por asnjëherë nuk ka arritur më larg se raundi i parë kualifikues si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në atë të Evropës. Edhe Sileksi këtë edicion e nisi aventurën evropiane në Ligën e Kampionëve, por u eliminua në rrethin e parë kualifikues nga Qarabagu i Azerbajxhanit.

“Drita është një kundërshtar i fortë. Është skuadër cilësore dhe ka lojtarë të ngjashëm me lojtarët tanë të ligës së parë. Ne duhet të jemi trima dhe lumturia ndjek trimat. Një gjë është e sigurt, do të jetë një ndeshje e pasigurt, mund të zgjasë më shumë se nëntëdhjetë minuta. Unë jam një trajner që shkoj gjithmonë drejt triumfit të ndeshjes, është 50:50”, ka thënë Simov.

Ngjashëm si trajneri Simov edhe kapiteni i Sileksit, Angelçe Timovski, ka pranuar se dëshiron kalimin tuje. Ai ka thënë se ndoshta përparësia kryesore e Sileksit në këtë përballje është se Drita nuk ka luajtur ndeshje për një kohë të gjatë, gjë që do të mundohet ta shfrytëzojë.

“Ne jemi diku me cilësi afër me Dritën. Por, ne mund të kemi një avantazh të vogël për shkak se Drita nuk ka një ndeshje të luajtur për një kohë të gjatë dhe kjo mendoj se na bën ne favoritë të lehtë. Duhet të luajmë me shumë kujdes. Nëse pranojmë një gol, sigurisht që do të jetë më e vështirë, sepse nuk ka asnjë korrigjim, pasi luhet vetëm një ndeshje”, ka thënë Timovski.