Shelmy Brno e Çekisë do të jetë kundërshtarja e skuadrës së volejbollit Drita (femrat) në rrethin e parë të “CEV Cup”.
Shorti është tërhequr të premten në selinë e Konfederatës Evropiane të Volejbollit në Luksemburg. Drita është edhe skuadra e vetme që do ta përfaqësojë Kosovën në garat evropiane në volejboll, shkruan KOHA.
Te skuadra e Dritës, që stinorin e mbylli pa fituar asnjë trofe, e cilësojnë si “short me fat” duelin kundër skuadrës çeke.
Trajneri i Dritës, Lorik Ilazi, ka theksuar se kanë shmangur disa skuadra edhe më të forta.
“Nuk është që nuk kemi pasur fat, sepse ka pasur ekipe shumë më të forta dhe më të vështira për t’u kaluar”, ka thënë Ilazi.
“CEV Cup” është gara e dytë për nga rëndësia në volejbollin evropian. Mundësinë për të marrë pjesë në këtë nivel Drita e arriti për shkak se ishte skuadra e vetme pjesëmarrëse nga Kosova.
Mundësinë për të marrë pjesë në garat evropiane e kishte edhe kampioni i meshkujve, Ferizaj. Por, kjo skuadër ka hequr dorë dhe do të marrë pjesë vetëm në Ligën Ballkanike. Nga garimi në Evropë kanë hequr dorë edhe skuadra të tjera të volejbollit.
Ish-kampionia e Kosovës, ndeshjen e parë do ta luajë si vendëse më 10 nëntor, derisa atë të kthimit pas një jave në Brno të Çekisë.
Skuadra çeke sezonin e mbylli në vendin e tretë.
Trajneri Ilazi thotë se është e rëndësishme pjesëmarrja e vazhdueshme e klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare, pasi siç thekson ai, fitohet përvoja dhe rritet niveli.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.