Sport

City kërkon suksesin në Champions për t’u konfirmuar si top-skuadër

Descriptive Text

Manchester City duhet të fitojë Ligën e Kampionëve për t’u konfirmuar si top-skuadër evropiane. Kështu ka thënë mbrojtësi i skuadrës angleze, Kyle Walker të premten.

Manchester City luan ndaj Lyonit të shtunën mbrëma (sonte, 21:00), në çerekfinalen e fundit të Ligës së Kampionëve. Është një edicion i jashtëzakonshëm, që është ndërprerë gjatë për shkak të pandemisë COVID-19. Faza finale e edicionit po zhvillohet në Lisbonë të Portugalisë, transmeton KOHA.

Manchester City më 7 gusht e luajti ndeshjen e kthimit ndaj Real Madridit. Fitoi 2:1 në Manchester. Ndeshjen e parë të luajtur në Madrid e kishte fituar po ashtu me rezultatin 2:1 dhe kështu kaloi në çerekfinale. Tani synon kalimin në gjysmëfinale fillimisht.

Ndeshja e parë me Real Madridin ishte luajtur më 25 shkurt. Më pas edicioni ishte ndërprerë për shkak të koronavirusit.

Falë investitorëve arabë, City është kthyer në klub të madh të futbollit. Për trajner e ka Pep Guardiolan e famshëm, ndërsa në përbërje ka top-lojtarë. Premier Leaguen e ka fituar katër herë në dekadën e fundit, por i ka munguar suksesi evropian. Nuk ka shkuar përtej gjysmëfinales në Champions.