14:01

Drita pret vendim të drejtë nga UEFA

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ka thënë se pret një vendim të drejtë nga UEFA. Drita ka thënë se për fatin e ndeshjes me Linfieldin, ndeshje kjo finale paraeliminatore për Ligën e Kampionëve, do të vendoset sot nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s.

Ndeshja mes Dritës dhe Linfieldit, e paraparë të luhej mbrëmë, u anulua nga UEFA pas insistimit të autoriteteve zvicerane shëndetësore, pas rasteve pozitive me koronavirus te Drita.

“Klubi jonë FC DRITA sapo ka arritur në Kosovë. Me kërkesë të shtetit zvicrran, na është kërkuar që ta lëshojmë vendin para se të karantinohemi për 10 ditët e ardhshme. Organizatori UEFA ka bërë përpjekje që ndeshja të zhvillohet, por që ka qenë e pamundur nga autoritetet zvicerane. Me tu marr ky vendim, në koordinim me organizatorin e kompeticionit është vendosur që ndeshja mos të zhvillohet dhe ne të kthehemi në Kosovë. UEFA gjithashtu na ka njoftuar se për fatin e ndeshjes ndaj Linfild FC do të vendoset sot(12.08.2020) nga komisioni i disiplinës së UEFA-se. Rregullat e UEFA0 ishin të qarta se nëse një lojtar rezulton pozitiv, lojtari do të izolohet dhe pjesa tjetër e skuadrës do të vazhdojë me ndeshjet, ndërsa kjo rregullore ka ra ndesh me rregullat e shtetit zviceran, për të cilën gjë është dashur që ta mendojë mirë organizatori i kompeticionit që të mos na shfaqen probleme të tilla. FC DRITA është tejet optimiste se do të gjendet një zgjidhje nga UEFA në mënyre që mos të dëmtohet asnjë skuadër”, thuhet në postimin e Dritës në Facebook.

12:42

Futbollistët e Dritës arrijnë në Kosovë

Futbollistët e kampionit të Kosovës, Dritës, kanë arritur në Kosovë. Drita mbrëma ishte paraparë të luante ndeshjen finale të raundit paraeliminator të Ligës së Kampionëve kundër Linfieldit në Nyon të Zvicrës.

Por, ndeshja është anuluar nga autoritetet shëndetësore zvicerane, pas testimit pozitiv të dy lojtarëve të Dritës, Fidan Gërbeshi e Hamdi Namani.

Fillimisht Gërbeshi kishte rezultuar pozitiv të premten, para ndeshjes gjysmëfinale. U izolua më pas Bujar Shabani që kishte qenë në kontakt me të.

E në testet e bëra para ndeshjes me Linfieldin, doli pozitiv Hamdi Namani, derisa pjesa tjetër dolën negativë. Autoritetet shëndetësore zvicerane udhëzuan UEFA-n të anulohet ndeshja. Ekipi i Dritës është kthyer, ku ka ateruar para pak minutave në aeroportin e Prishtinës, siç ka njoftuar në Facebook.

Po pritet të merret vendim nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s për rastin, por siç është raportuar nëpër mediume të huaja, Drita ka gjasa ta humbasë ndeshjen me rezultat zyrtar, bazuar në Aneksin 1 të aprovuar nga UEFA për raste të tilla.

Në rast të kësaj Drita do të vazhdojë garën në Ligën e Evropës.