Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) të hënën njoftoi se afati kalimtar për basketbollistë të huaj dhe vendorë do të jetë i hapur deri më 7 shtator. Por, afati kalimtar për edicionin e ri të Superligës pritet të jetë i varfër, meqë klubet janë prekur financiarisht nga pandemia e koronavirusit.
Dy klubet elitare, Prishtina dhe Peja, që kanë bërë investime të mëdha që nga paslufta, kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë asnjë transferim të huaj. Madje, kryetari i klubit të basketbollit Peja, Art Gashi vë në dyshim edhe të ardhmen e klubit.
“Në këtë kohë pandemie aktualisht gjithçka është e paqartë rreth situatës në të cilën është klubi. Sigurisht që pandemia ka prekur edhe klubin tonë dhe jemi në krizë financiare. Është për keqardhje kujdesi i institucioneve për klubet e basketbollit dhe basketbollistët. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, momentalisht jemi në pritje”, deklaroi Gashi të hënën për KOHËN.
Peja është skuadra e vetme që edicionin 2019/2020 e mbylli me një trofe të fituar. Fitoi Kupën e Kosovës, derisa FBK-ja ndërpreu kampionatin për shkak të mbylljes së aktiviteteve në mars shkaku i koronavirusit. E me të marrë vendimin për ndërprerje të kampionatit, klubet e Kosovës liruan basketbollistët e huaj.
Peja dhe Prishtina vitet e fundit e kanë përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Baza e ekipit për gara ndërkombëtare kanë qenë basketbollistë të huaj, por jo edhe këtë vit. Madje, asnjë skuadër nuk do të marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Kanë hequr dorë shkaku i krizës.
Edhe drejtori sportiv i klubit të Prishtinës, Florian Miftari, thotë se transferimi i lojtarëve të huaj as që është diskutuar këtë vit nga bordi i klubit. Ish-basketbollisti i “bardhekaltërve” thotë se klubi do të përqendrohet te lojtarët e rinj.