Futbollistët e Dritës dhe Prishtinës të mërkurën në mëngjes janë testuar për koronavirus dhe janë në pritje të rezultateve. Gjilani ndërkohë ende është në pritje për t’u testuar.
Është kjo hera e dytë që futbollistët kosovarë u janë nënshtruar testimeve për koronavirus, teksa një gjë të tillë do ta bëjnë edhe një herë tjetër para ndeshjeve të tyre në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës.
Drita do të jetë skuadra e parë që do të udhëtojë jashtë vendit. “Bardhekaltrit” gjilanas do të udhëtojnë në Nyon të Zvicrës ditën e premte, ndërsa të shtunën do të luajnë kundër kampionit të Andorrës, Inter d’Escaldes.
Gjilani dhe Prishtina do t’i mësojnë kundërshtarët në shortin e 9 gushtit, ndërsa ndeshjet do t’i zhvillojnë më 20 gusht.