Sport

Rrëfimi i boksieres Ruqsana Begum, që ia tejkalon boksit

Lotët e Ruqsana Begumit të bien mbi ringun e boksit me ngjyrë të kaltër, nuk janë një shenjë dobësie. Përkundrazi, ata janë shenja të betejave që ajo i ka fituar ndër vite. Si një femër e re nga Bangladeshi, që jeton në lindje të Londrës, rruga e saj për t’u bërë kampione e botës në Muai Thai nuk ishte aspak e lehtë, shkruan "The Guardian".

Në fakt, ishte shumë e vështirë për shkak se përgjatë këtij rrugëtimi, Begumi duroi një martesë të rregulluar, sulme paniku, depresioni, ngacmim në palestër dhe periudha shkatërruese të sindromit të lodhjes kronike. Lotët e saj rrjedhin vazhdimisht gjatë intervistës së zhvilluar në palestrën që gjendet në zonën Bethnal Green të komunitetit nga Bangladeshi, por ajo asnjëherë nuk e humbet qetësinë e saj. Sa herë që ish-kampionia e kickboxit fshin lotët e saj, qesh pak dhe pastaj me keqardhje vazhdon rrëfimin interesant.

“Ato momente më kanë çuar deri në këtë situatë”, thotë ajo pas një pauze. “Por, tani nuk kam nevojë të kërkoj miratim nga askush. Përkundrazi, futem në palestër dhe gjej forcë nga brenda për t’u stërvitur”.

Begumi rithekson pasionin e saj për të luftuar dhe me siguri të madhe insiston se mund të ketë suksese në sportin e saj të ri, boksin pavarësisht kundërshtimeve të shumta që i ka në këtë rrugë.

“Unë e dua boksin. Kur futem në ring, ndihem shumë e sigurt dhe e fortë. Fakti se punoj vazhdimisht dhe nuk ndalem, më jep bindje të plotë se një ditë do të arrij synimin tim, të bëhem kampione e botës”, thotë Begum. “Po përparoj shumë në boks dhe e shoh veten me brezin e kampiones”.

36-vjeçarja është e vogël me trup, por një femër e ngrohtë dhe reflektuese që gjithashtu ka një diplomë në arkitekturë. Me 160 centimetra, Begum nuk duket si një luftëtare. Dhe, është shumë i çuditshëm fakti se Begum në botën e boksit është futur nga sfondi i dhunshëm në Muay Thai. Ajo insiston se boksi ka sjellë tashmë qetësi në botën e saj, shpesh të trazuar.

“Unë mendoj se çdo formë kreative e artit, qoftë muzikë apo valle, Muay Thai apo boks, iu lejon të kanalizoni emocionet dhe të shpreheni. Unë kam qenë me fat që kam zbuluar boksin pas Muay Thait, ku kam pasur pak mundësi të tjera për t’u shprehur. Kam gjetur pasionin tim të jetës dhe e kuptova se ky është sporti im. Mirëpo, talenti nuk është asgjë pa sakrificë”, thotë Begum. “Kështu që, kur i kisha gjithë ato probleme, nuk i fajësova të tjerët por u angazhova për të ecur përpara. Kam gjetur mënyrën më të mirë për ta shëruar veten përmes sportit. Kështu që, jam vërtet mirënjohëse që boksi është futur tashmë në jetën time dhe synimet i kam të mëdha në këtë sport”.

Në të vërtetë, libri i ri i Begumit, “Born Fighter”, ofron një pasqyrë tërheqëse të pengesave me të cilat u përball. Aty Begum shpjegon se si e fshehu pasionin e saj për Muay Thain nga familja e saj për shumë vite.

“Palestrën e kisha përtej rrugës dhe nuk mund të besoj se kisha guxim të hyja brenda”, thotë ajo.