Sport

Shtyhet për shtator grumbullimi i basketbollistëve

Descriptive Text

Plani i Përfaqësueses A të Kosovës në basketboll (meshkuj) për t’u grumbulluar në pjesën e dytë të këtij muaji ka dështuar për shkak të situatës aktuale në vendin tonë me pandeminë e koronavirusit.

Bazuar në këtë situatë dhe masat e reja të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ku janë ndaluar aktivitetet sportive dhe stërvitjet në mjedise të hapura dhe të mbyllura, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është detyruar ta shtyjë grumbullimin e paralajmëruar qysh në ditët e para të qershorit. Kështu që grumbullimi i paraparë për këtë muaj është shtyrë për muajin shtator, nëse eventualisht situata me pandeminë përmirësohet. Këtë e ka bërë të ditur Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të premten për KOHËN. Deri të premten, në Kosovë janë regjistruar 8330 raste me koronavirus, 4578 janë shëruar dhe 227 kanë vdekur.

“Kemi marrë vendim që t’i shtyjmë grumbullimet e përfaqësueseve A të Kosovës (meshkuj/femra) që ishin paraparë gjatë muajit gusht 2020, për shkak të zhvillimeve të fundit me pandeminë COVID-19 në vendin tonë dhe Bordi e ka autorizuar Drejtorinë e Përfaqësueseve që në koordinim me Sekretaren e Përgjithshme të riplanifikojë dhe vendosë për grumbullime të mëvonshme në bazë të situatës dhe udhëzimeve nga autoritetet dhe institucionet përgjegjëse”, është shprehur Dushku. “Po shpresojmë se në shtator mund ta mbajmë këtë grumbullim, pasi do të konsultohemi edhe me përzgjedhësin Christos Marmarinos”.

FBK-ja e kishte vlerësuar si shumë të rëndësishëm grumbullimin e këtij muaji, i cili do t’ia mundësonte përzgjedhësit Christos Marmarinos të shohë nga afër formën e basketbollistëve. Në fakt, FBK-ja, krahas grumbullimit njëjavor në Prishtinë, ka pasur në plan edhe një ndeshje miqësore. Ky grumbullim shihej edhe si një parapërgatitje për ndeshjet e Kosovës në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Botërorin 2023. Kosova, në muajin nëntor të këtij viti, do të luajë në udhëtim kundër Sllovakisë dhe Islandës në kuadër të këtyre parakualifikimeve.