Futbollisti që do ta përfaqësojë Kosovën në të ardhmen, Andi Zeqiri, ka ndihmuar skuadrën e tij, Lausannen, të ngjitet në elitën e futbollit të Zvicrës. Zeqiri, që në duelin e xhiros së 35-të hyri si zëvendësues në minutën e 46-të, asistoi në golin e tretë për Paschen.
Lausanne fitoi në udhëtim te Lausanne Ouchy me rezultatin 4:0. FC Lausanne-Sport e siguroi titullin e rangut të dytë të futbollit zviceran me 70 pikë, ndërsa vendin e dytë e mban Vaduzi me 64, tri më shumë se Grasshoppersi në vendin e tretë, transmeton KOHA.
Lausanne kthehet në Superligën e Zvicrës pas dy vitesh mungesë, dhe brenda pak javësh do të luajë në elitën e futbollit të këtij vendi. Në këtë edicion, kjo skuadër e pati sulmin më të mirë, me 79 në total, falë Aldin Turkesit që ka 21 të shënuar, ndërsa Andi Zeqiri, ka kontribuuar në këtë sukses me 15 gola e 6 asistime.
Kujtojmë që Zeqiri lojtari më i mirë i kësaj lige në vitin 2019-të. E enjtja ishte ditë e frytshme edhe për shqiptarët tjerë. Liridon Balaj që është pjesë e Aaraus, shënoi dy herë në barazimin kundër Grasshoppersit, 2:2. Gjelbrim Taipi i skuadrës së Schaffhausenit, e realizoi golin e vetëm në humbjen 3:1 në udhëtim te Vaduzi. Shënues në barazimin 1:1 ishte edhe Valon Fazliu i Wilit kundër Chiassos.