Sport

FFK-ja e konfirmon se Superliga do t’i ketë dhjetë skuadra, klubeve u lejohen edhe skuadrat B

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka konfirmuar të martën se Superliga e Kosovës në futboll në edicionin e ardhshëm do t’i ketë dhjetë skuadra. Kështu nga elita, ashtu si planifikohet për kohë të gjatë, do të largohen katër skuadrat e fundit.

Në edicionin e ardhshëm (2020\2021), do të largohen nga Superliga dy skuadrat e fundit. Dy skuadrat kampione në dy grupet e Ligës së Parë do të promovohen. Superliga do të luhet në sistem të katërfishtë.

Në Ligën e Parë do të formohen dy grupe me nga dhjetë skuadra. Tri skuadrat në secilin grup do të largohen për në Ligën e Dytë.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka shqyrtuar edhe mundësinë e lejimit të formimit të skuadrave B nga klubet e Superligës.

“Mori vendim që t’iu lejohet klubeve të Superligës formimi i skuadrës B, që do të garojë maksimalisht dy rangje më ultë se ekipi i Superligës”, thuhet në njoftim.