Përderisa filluan kualifikimet për kampionatin evropian të futbollit “Euro 2016”, pakkush do ta llogariste Portugalinë fituese të turneut - një komb me talente të mëdha të futbollit, por pa trofe në garat ndërkombëtare.
Dhe ende para se të rrokullisej topi i parë në rrugën drejt Evropianit, përzgjedhësi i kësaj kombëtareje Fernando Santos, profetizoi një fitore të pamundur.
"Që nga momenti i parë, nga ndeshja e parë kualifikuese, ai tha: ‘Ne do ta fitojmë kampionatin’", i thotë CNN Sportit, mbrojtësi i djathtë portugez, Cedric Soares.
"Ai e shkroi këtë në tabelë. Në atë kohë, askush me të vërtetë nuk e besoi. Dhe gjatë ndeshjeve kualifikuese ai e kishte shkruar sërish mesazhin e njëjtë në tabelë. ‘Ne do ta fitojmë Euro 2016’. Ne ende as nuk ishim kualifikuar! "
Nga e premtja, janë bërë katër vjet që nga fitorja 1:0 e Portugalisë ndaj Francës në finalen e kampionatit evropian. Nikoqirët, Kombëtarja e Francës kishte pasur një rrugë shumë të lehtë deri në finale dhe ishin favoritët kryesorë për ta fituar Evropianin në vendin e tyre. Por, pengesa e tyre ishte gjuajtja e saktë nga distanca e Ederit në vazhdime, për t’ua prishur festën francezëve në “Stade de France” të Parisit dhe për t’i dhuruar Portugalisë momentin e lavdisë në futbollin ndërkombëtar.
Dhe kjo u arrit pa liderin frymëzues të kombëtares, superyllin dhe pesë herë futbollistin e vitit, Cristiano Ronaldo, i cili gjatë pjesës së parë, me ndihmën e bashkëlojtarëve po largohej i përlotur nga fusha e lojës, pasi dëmtoi gjurin në një duel me Dmitri Payet.
Ronaldo, të cilit iu mohua lavdia evropiane më 2004 me humbjen në finale ndaj Greqisë, do ta kalonte pjesën e mbetur të lojës i stresuar, në këmbë, pa pushim përgjatë skajeve të fushës dhe duke dhënë urdhra për bashkëlojtarët si të ishte ai trajneri i Portugalisë.
Për lojtarët e tjerë në fushë, mungesa e kapitenit të tyre paraqiti një sfidë të vështirë e të pakalueshme.
"Ishte e vështirë për t’u përballuar", thotë mbrojtësi Jose Fonte për CNN Sport, ndërsa kujton ndeshjen finale.
"Por, sapo (Ronaldo) u largua nga loja, ne po shikonim njëri-tjetrin dhe pashë qëndrueshmërinë te bashkëlojtarët e mi. Pashë se ata po shtrëngonin dhëmbët dhe u thashë: Ta bëjmë këtë. Do të jetë sot pa Ronaldon. Duhet ta bëjmë pa të, duhet të punojmë edhe më shumë.
"Ky ishte qëndrimi ynë gjatë lojës dhe gjatë pjesës së parë - ne thjesht ruajtëm besimin. Kjo gjë na bëri edhe më të fortë."
Mst: 'Fanella kombëtare, ëndrra e secilit lojtar'
Në Paris, tifozët e kombëtares portugeze kishin shpenzuar shumë për të mbështetur futbollistët gjatë kampionatit dhe tifozët e tjerë në Portugali pritnin me padurim kthimin e ekipit triumfues.
Pasi gjenerata e artë e vendit në fillimin e vitit 2000, e cila përfshinte yjet si Luis Figo, Rui Costa, Joao Pinto dhe Deco, nuk po mund të sillte trofe nga garat ndërkombëtare, triumfi në vitin 2016 u ndje i vonuar.
"Ishte çmenduri absolute, kishte skena të jashtëzakonshme kur dolëm nga aeroplani", thotë Fonte, i cili luajti në të gjitha ndeshjet e fazës së nokautit në Euro 2016.
"Edhe në ajër, ne kishim dy avionë luftarakë që vinin përkrah nesh kur hymë në hapësirën ajrore të Portugalisë. Mbaj mend që aeroplanët kishin shamitë dhe flamujt e Portugalisë. Kjo ishte e jashtëzakonshme.
"Pastaj ne zbritëm ... Unë fillova të shikoja njerëzit që na prisnin jashtë aeroportit. Dhe pastaj parada me autobus, kishte miliona e miliona njerëz nëpër rrugë duke festuar me ne. Askush nuk do ta harrojë kurrë atë moment - ishte thjesht një gjë e pabesueshme për të qenë pjesë e saj. E pabesueshme ”.
Uji me ngjyrat kuq e jeshil u lëshua mbi aeroplanin që bartte heronjtë e rinj të vendit, përderisa një numër i madh njerëzish ishin rreshtuar pranë rrugëve për të përshëndetur dhe për të festuar titullin e kampionit të Evropës.
"Jam ndier si njeriu më i lumtur në botë, sepse të veshësh fanellën e vendit është unike dhe të fitosh një trofe për vendin tënd është ëndrra e çdo lojtari", tregon lojtari i krahut Nani, i cili fitoi Ligën e Kampionëve dhe katër tituj kampioni të Premier Leagues me Manchester Unitedin.
"Ishte pika më e lartë e karrierës sime. Ishte aq e mirë t'u jepja këtë gëzim njerëzve të mi."