Sport

Prishtina paralajmëron tërheqjen nga garat në futboll

Klubi i futbollit, Prishtina, ka paralajmëruar tërheqjen nga Superliga e Kosovës, pas tensioneve në mbyllje të ndeshjes me Gjilanin në kuadër të xhiros së 29-të.

Përmes faqes së klubit në Facebook, Prishtina ka njoftuar se shumë futbollistë e trajnerë janë dëmtuar “nga sulmi i policisë, sidomos nga spreji i përdorur, por ka edhe lëndime tjera”. Sipas njoftimit nga klubi, futbollisti Boshnjaku ka prerë dorën dhe është dërguar në emergjencë.

“FC Prishtina me gjasë, 99% do të tërhiqet nga garat!”, thuhet në tjetrin postim të klubit.

Prishtina pas ndeshjes së humbur 2:1 nga Gjilani, trajneri i saj, Armend Dallku, ka shkuar në drejtim të treshes së gjyqtarëve për të kërkuar llogari, por aty ai është penguar nga Policia e Kosovës, derisa njëri prej tyre ka përdorur sprejin në drejtim të zyrtarëve të klubit. Në fillim të pjesës së dytë, Prishtina mbeti me një futbollist më pak në fushë pas kartonit të kuq të portierit Visar Bekaj, si lojtar i fundit. Prishtina kishte reaguar ashpër në vendimin e gjyqtarit, Kreshnik Vula, për përjashtim.

Me humbjen e së mërkurës, Prishtina bie nga pozita e dytë në të katërtën në tabelë, me Ballkanin e Gjilanin që ngjiten, e Dritën që mbetet liderë.