Sport

Pesë klube diskualifikohen për kurdisje në Armeni, 45 persona dënohen përjetë

Federata e Futbollit të Armenisë ka suspenduar kategorinë e dytë të këtij vendi me efekt të menjëhershëm kurse ka diskualifikuar pesë skuadra pasi ka pranuar “dëshmi të pamohueshme” për përfshirjen e tyre në kurdisje të ndeshjeve.

Rreth 45 persona, duke përfshirë pronarë klubesh, lojtarë dhe trajnerë, janë përjashtuar përjetë nga futbolli. 13 të tjerë janë dënuar për periudha të ndryshme për përfshirje në manipulim të ndeshjeve.

Mediat lokale kanë raportuar se pronarë klubesh me pasaporta të Rusisë, lojtarë dhe trajnerë nga Rusia si dhe nga Ukraina, Letonia dhe Bjellorusia, janë në mesin e të dënuarve.

Lokomotiv Yerevan, Aragats, Torpedo Yerevan dhe Masis janë diskualifikuar nga kampionati pas rezultateve të dyshimta si 12:0, 0:12, 1:8, 9:2, 0:7, 0:8 dhe 8:2.

FC Yerevan, që ishte larguar nga Premier League në shkurt për probleme financiare dhe teknike, po ashtu është diskualifikuar.

“Vendimi u mor pasi FFA ka pranuar dëshmi të pakontestuara nga organizatat ndërkombëtare dhe agjenci të sigurisë”, ka thënë presidenti i Federatës, Armen Melikbekyan në një komunikatë. Ai kishte premtuar transparencë pasi mori postin në dhjetor.

Për vite të tëra ka pasur raportime të shumta të mediave për kurdisje dhe parregullsi në kampionatin e vendit në Kaukaz.