Pas dorëheqjes së mbështetësit të tyre miliarder, klubi nga Bundesliga në telashe me para, Schalke, pranoi se duhet të bëjë “kursime masive”, në mënyrë që të mbijetojë pasi financat u goditën edhe më shumë nga pandemia e koronavirusit.
“Duhet të bëjmë një pikë kthese për Schalken. Nuk mund të ketë një vazhdim të situatës aktuale”, ka pranuar anëtari i bordit, Alexander Jobst.
Jobst këmbëngul se duhet të bëhen “kursime masive”, madje thotë se tashmë është shtypur “butoni i ndalimit” në shumë fusha të financave të klubit dhe qëllimet sportive të Schalkes duhet të rregullohen në sezonet e ardhshme.
“Në muajt e fundit, Schalke ka paraqitur një imazh të mjerueshëm publik”, tha si, duke kërkuar falje për gabimet që janë bërë dhe që nuk duhet të ndodhin përsëri në të ardhmen. “Ne e dimë se e kemi humbur besimin dhe kemi frikësuar tifozët, por do të mundohemi të marrim veten”.
Schalke është një nga klubet më të mëdha të Gjermanisë, por edhe para goditjes së Evropës nga pandemia e koronavirusit në muajin mars, klubi ishte në borxhe prej 197 milionë eurosh, të cilat Jobst paralajmëroi se kërcënonin ekzistencën. Revista “Kicker” ka pohuar se pandemia do të linte një të tretën e klubeve në dy nivelet më të larta të vendit duke luftuar për mbijetesë shkaku i mungesës së financave. Kur futbolli gjerman rifilloi pas dyerve të mbyllura në muajin mars, pas një pauze prej dy muajve, Schalke humbi dy milionë euro të ardhura për secilën nga katër ndeshjet që i luajti në shtëpi pa praninë e tifozëve.
“Pandemia vetëm se ka vështirësuar edhe më shumë gjërat në klub”, shtoi Jobst.
Problemet financiare të Schalkes u përkeqësuan vitet e fundit për shkak të mungesës në kualifikimet e Ligës së Kampionëve në tri prej katër edicioneve të fundit. Të shtunën e kaluar, Schalke e mbylli këtë edicion me një rekord tjetër negativ, me 16 ndeshje pa fitore pas humbjes 4:0 nga Freiburgu.
Dorëheqja e kryetarit të pasur të klubit Clemens Toennies në fillim të kësaj jave pas 19 vjetësh në krye erdhi pas protestave nga mbështetësit. Një javë pasi kreu i financave u largua nga Schalke, Toennies gjithashtu u largua me tifozët e zemëruar për udhëheqjen e tij në klub. Larg futbollit, prodhuesi miliarder i mishit ishte tashmë nën zjarr për shkak të kushteve në fabrikën e tij, gjë që çoi në një shpërthim prej 15 mijë rastesh të prekur me koronavirus. 64-vjeçari kishte bërë gjithashtu një fillim të tronditur në sezonin e kaluar, duke u larguar vullnetarisht për tre muaj nga posti i kryetarit të Schalkes mbi komentet gjoja raciste që ai bëri në gusht. Ndërkohë, Schalke ka raportuar se ka siguruar 40 milionë euro garanci nga vendi i tij North Rhine-Westphalia, që do të jetë një ndihmë për mbijetesën e klubit.
“Ne tashmë do t’i nënshtrohemi një periudhe të vështirë, me të cilën duhet të mësohemi për shkak se varet e ardhmja e klubit”, u shpreh Jobst.
Ndërkohë, trajneri i Schalkes, David Wagner, tha se tani pret që “të bëjë bashkë një ekip të fuqishëm me një buxhet të vogël” për sezonin e ardhshëm. Sipas tij, synimi do të jetë që sa më herët të sigurohet mbijetesa.
“Këtë edicion përfunduam në pozitën e 12, kurse edicionin tjetër nuk pres ndonjë rezultat të mirë, por të paktën të mos luftojmë për mbijetesë. Nuk do të jetë aspak lehtë, por ne do të japim më të mirën nga vetja në këtë situatë të vështirë”, u shpreh Wagner.
Në të vërtetë, mediumet gjermane së fundi kanë raportuar se pas situatës së krijuar, Schalke po synon të bëjë një shkurtim të pagave vjetore të futbollistëve. Klubi po synon që paga më e lartë të jetë 2.5 milionë euro në vit dhe tashmë ka filluar negociatat me futbollistët për rinovimin e kontratave. Këtë në njëfarë mënyrë e ka pranuar edhe drejtori sportiv i Schalkes, Jochen Schneider, duke shtuar se më nuk mund të mbështeten në të ardhmen.
“Telashet me financa na kanë bërë që të reflektojmë në çdo aspekt për edicionin e ri. Nuk e dimë se çfarë mbanë e ardhmja, por ne duhet të përgatitemi për më të keqen”, shtoi ai. “Duhet të bëjmë shumë kursime dhe shpresoj që edhe lojtarët të na mirëkuptojnë”.
Për sezonin e ardhshëm, Schalke tashmë ka humbur dy prej lojtarëve më të mirë që ka pasur në radhët e veta. Portieri Alexander Nuebel i është bashkuar Bayern Muenchenit si futbollist i lirë derisa mbrojtësi i krahut të djathtë, Jonjoe Kenny, i cili ishte huazuar nga Evertoni, është rikthyer në Angli.