Pas 118 vjetësh, Real Madridi të mërkurën edhe zyrtarisht u bë edhe me ekip profesional të femrave, duke e përthithur CD Tacon për të nisur një projekt të freskët “galaktikë” në klub.
Real Madridi, ekipi më i mirë i shekullit XX sipas FIFA-s, deri më tani ka qenë një nga klubet e vetme elitare që i rezistoi krijimit të një skuadre të femrave.
Duke marrë përsipër CD Tacon, klubin e femrave me qendër në Madrid të krijuar në vitin 2014, Real Madrid Femenino tashmë është bërë realitet, transmeton KOHA.
“Ngjashëm si ekipi i meshkujve, edhe ai i femrave do të luftojë për të fituar çdo trofe. Gjithashtu, do t’i mbledhim lojtaret më të mira të mundshme për të krijuar një ekip që garanton sukses”, ka premtuar presidenti i Real Madridit, Florentino Perez.
Miratuar në një mbledhje të aksionarëve në shtator të vitit të kaluar, blerja e CD Tacon për 300 mijë euro u zyrtarizua të mërkurën (1 korrik), kur edhe do të fillojë një tjetër lëvizje rekrutimi te Real Madrid Femenino.
Sipas shtypit spanjoll, Madridi ua ka vënë syrin disa prej futbollisteve më të talentuara që pritet të jenë pjesë e ekipit për edicionin e ri. Në fakt, disa prej përforcimeve të para te Real Madrid Femenino mund të zyrtarizohen gjatë kësaj jave.
Realisht, CD Tacon kishte filluar përgatitjet për t’i tubuar disa prej lojtareve më të mira që ishin pjesë e klubit këtë sezon, i cili është anuluar për shkak të përhapjes së pandemisë së koron avirusit.
Klubi firmosi me reprezentueset e Suedisë, Kosovare Asllani dhe Sofia Jakobsson, e cila ishte e nominuar për “Topin e Artë” për vitin 2019 dhe që u bashkua vitin e kaluar pasi doli e treta në botërorin e femrave. Por, te madrilenët do të ketë shumë ndryshime për edicionin e ri, sidomos pas paralajmërimeve për largimet e lojtareve si Ana Valles, Esther, Marina Martin Massanet, Patri Carballo, Ainoa Campo dhe Osinachi Ohale. Synimi është që Real Madrid Femenino të shndërrohet në ekip pretendent për titull të kampionit, si në Spanjë ashtu edhe Evropë, ku zyrtarët e klubit shpresojnë ta sfidojnë ekipin e femrave të Barcelonës. Barcelona në edicionin 2018/19 ishte finaliste në Ligën e Kampionëve, kurse këtë edicion triumfoi dy herë bindshëm përballë CD Tacon: 6:0 dhe 9:1.
“Ka ardhur koha për të ndërtuar një ekip për të cilin do të jeni shumë krenarë”, ka vazhduar presidenti i Realit, Perez. Në të vërtetë, ndryshimi është bërë gradualisht gjatë muajve të fundit. Që nga fillimi i sezonit aktual, CD Tacon, i drejtuar nga trajneri David Aznar, ka stërvitur dhe ka luajtur ndeshjet si vendas në Valdebebas, disa metra larg skuadrës së meshkujve.
Kjo do të vazhdojë të ndodhë edhe në sezonin e ri dhe klubi nuk ka përjashtuar mundësinë që ekipi i femrave të zhvillojë ndeshjet si vendas edhe në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Nisja e Real Madrid Femenino do të jetë një moment historik për klubin, por edhe për futbollin e femrave. “Kjo është një gjë shumë pozitive. Unë shpresoj që Reali do t’i stabilizojë investimet për një periudhë të gjatë për shkak se ka plane afatgjate.
Pres që Reali të ketë sukses në futbollin e femrave dhe nëse investimet bëhen si te meshkujt, atëherë ekipi i femrave të Madridit do të jetë i mbushur me lojtare të talentuara. Përfundimisht, do të jetë një klub modern dhe model”, ka pranuar Ada Hegerberg, fituesja e “Topit të Artë” për femra në vitin 2018. “Real Madridi u ka dhënë një mesazh apo paralajmërim edhe klubeve të tjera, se prej edicionit të ardhshëm do të futet fuqishëm. Shpresoj që edhe klubet tjera do ta ndjekin shembullin e Real Madridit.