Sport

UEFA është plotësisht e përkushtuar që të organizojë finalen e Championsit në Lisbonë

Descriptive Text

UEFA ka thënë të martën se është plotësisht e përkushtuar që të organizoi pjesën finale të Ligës së Kampionëve në Lisbonë në gusht, ndonëse disa pjesë periferike të qytetit po përgatiten për kthim të bllokimit pas rritjes së rasteve me koronavirus.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka thënë se nuk ka nevojë për plan B, pas diskutimeve që ka pasur me kryeministrin portugez, Antonio Costa. Sipas Çeferinit, UEFA pranon se organizimin e turneut përfaqëson “sfidë të madhe”.

“Gjatë takimit të gjitha palët kanë nënvizuar se janë plotësisht të përkushtuara për të punuar së bashku për të ofruar ngjarje të suksesshme në Lisbonë”, thuhet në një komunikatë të UEFA-s.

“Pjesëmarrësit kanë diskutuar faktin që ky është një turne i paprecedent, që përfaqëson sfidë të madhe. Por kanë shprehur besimin se kushtet e kërkuara do të plotësohen në Portugali”.

Të enjten e kaluar qeveria portugeze ka thënë se njerëzit që jetojnë në pjesët e prekura të kryeqytetit, në 19 komuna ku nuk përfshihet qendra e Lisbonës, do të lejohen të largohen nga shtëpitë vetëm për të blerë gjëra esenciale apo për të udhëtuar për në punë. Masa do të jetë në fuqi prej 1 deri më 14 korrik dhe do të rishikohet më pas.

Turneu i Championsit do të zhvillohet me sistem të nokautit direkt. Çerekfinalet dhe gjysmëfinalet do të luhen me nga një ndeshje në vend të dy sa janë zakonisht, kurse finalja duhet të luhet më 23 gusht.

“Ne do të përmbyllim edicionin në mënyrë pozitive në Lisbonë. Nuk ka nevojë për planin B”, ka thënë Çeferin.