Sport

Legjenda e Barcelonës, Xavi, paralajmëron rikthimin si trajner në “Camp Nou”

Xavi Hernandez, legjenda e Barcelonës, ka zbuluar se me stafin e tij po përgatiten të marrin përsipër drejtimin e ish-klubit të tij në një të ardhme të afërt, kanë njoftuar të hënën mediumet spanjolle. 

Xavi, që aktualisht është trajneri i ekipit nga Katari, Al Sadd, ishte si opsion për te Barcelona në fillim të këtij viti pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, por drejtuesit angazhuan Quique Setienin, pasi u refuzuan nga ish-mesfushori me arsyetimin se nuk është i gatshëm për t’u rikthyer në “Camp Nou” në një rol të tillë, transmeton KOHA.

Së fundi, presioni është rritur dukshëm te Barcelona, për shkak të rezultateve jo të mira që nga rifillimi i garave në La Liga që nga ky muaj dhe Xavi pranoi se synimi i tij është të rikthehet në “Camp Nou” si trajner për ta ndihmuar ish-ekipin e tij që t’u kthehet sukseseve nëpërmjet një projekti krejtësisht të ri. Aktualisht, Barcelona vështirë se këtë edicion mund ta mbrojë titullin e kampionit në La Liga. 

Renditet në pozitën e dytë në tabelë, me dy pikë më pak se Real Madridi, kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në fund të këtij edicioni, i cili u pezullua në mars për shkak të përhapjes së pandemisë të koronavirusit. Një numër i lojtarëve të irrituar te Barcelona thuhet se janë fjalosur me trajnerin aktual Setien pas barazimit të fundit 2:2 në udhëtim ndaj Celta Vigos. 

Mësohet se lojtarët ishin të pakënaqur me trajnerin Setien që në fund të ndeshjes inkuadroi Antoine Griezmannin e Arthur Melon, duke i kërkuar llogari për barazimin. Xavi është fëmijë i Barcelonës, kurse me ekipin e parë ka zhvilluar në total 767 ndeshje në të gjitha garat dhe ka fituar çdo trofe të mundshëm në nivel klubesh. Ai në vitin 1998 debutoi me ekipin e parë dhe luajti deri në vitin 2015, kur vendosi të largohet.