Sport

Ter Stegen: Barcelona në formë shumë të mirë

Marc-Andre ter Stegen

Portieri gjerman, Marc-Andre Ter Stegen, e ka paralajmëruar Napolin duke thënë se Barcelona rrallëherë ka qenë në formë më të mirë fizike sesa tani.

La Liga spanjolle do të kthehet për 10 ditë, ndërsa Barcelona bëhet gati që të ballafaqohet me Mallorcan më 13 qershor, e portieri i “Blaugranas” beson fuqishëm se është një hap para të tjerëve.

Ter Stegen u ka bërë me dije kundërshtarëve, përfshirë edhe Napolin, se Barça është e gatshme që ta shfrytëzojë mundësinë në Ligën e Kampionëve këtë edicion.

“Fizikisht, rrallëherë kemi qenë në këtë nivel, por Real Madridi natyrisht se nuk do të lëshojë rastet e veta në ligë. Sa i përket Ligës së Kampionëve, e kemi mundësinë të shkojmë shumë larg dhe dëshirojmë që ta shfrytëzojmë sa më mirë”, ka thënë Ter Stegen për “Kicker”.