Sport

Lojtari japonez testohet pozitiv për COVID-19

Sulmuesi i klubit të elitës së Japonisë në futboll Nagoya Grampus, Mu Kanazaki, është testuar pozitiv për koronavirusin e ri, ka njoftuar klubi i J.Leagues, raporton agjencia Reuters.Testimi pozitiv i Kanazakit vjen më pak se një javë pasi që J.League kumtoi planet për të rifilluar stinorin më 4 korrik, pa tifozë, dhe kur shumë klube i janë kthyer stërvitjeve të plota. Secili klub kishte luajtur nga një ndeshje në ligë kur stinori u pezullua më 26 shkurt.

Kanazaki, që i ka luajtur 11 ndeshje për Japoninë, është paraqitur me temperaturë 38.5 gradë Celsius në stërvitje të premten dhe mori rezultatet e testit të martën. Me kufizimet nëpër Japoni të zbutura, skuadrat profesioniste sportive, përfshirë edhe klubet e Nippon Professional Baseball, janë kthyer në stërvitje.

Po ashtu është njoftuar se dy bejsbollistë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. 

Japonia ka qenë kryesisht e suksesshme në frenim të COVID-19, duke regjistruar 17 mijë të infektuar dhe 914 të vdekur.