Sport

Garay konfirmon se do të largohet nga Valencia, shpreh pakënaqësinë me bordin e klubit

Mbrojtësi argjentinas Ezequiel Garay ka konfirmuar se do të largohet nga klubi kur t’i skadojë kontrata në fund të stinorit, ndërsa ka kritikuar sjelljen e krerëve të klubit karshi tij.

Qendërbrojtësi ka thënë se nga klubi janë lëshuar shkrime të pavërteta për kërkesat e tij për të vazhduar kontratën.

“Është hera e parë në karrierë që flas hapur kështu dhe më trishton kjo. Kur them kampanjë, them se njerëzit në klub janë munduar të më diskreditojnë si profesionist dhe si person”, ka shkruar 33-vjeçari në rrjetet sociale. “E gjitha kjo nisi kur doli një informatë se kam refuzuar një ofertë 2.7 milionë euro në vit dhe është e pavërtetë. Kanë thënë se nuk dua që të qëndrojë në klub, gjë që është e pavërtetë po ashtu. Më 2 korrik, më është ofruar një kontratë dukshëm më e vogël se ajo që e kam aktualisht. Në gusht, kanë filluar të shfaqen jostabiliete, si situata me trajnerin Marcelino, kështu që kam pritur të mbarojë çdo gjë për të diskutuar për rinovim të kontratës. Më 13 nëntor arritëm marrëveshje verbale, por asgjë të shkruar. Në janar u takova me përfaqësuesit e klubit dhe kushtet kishin ndryshuar. Prapë doja të rinovoja kontratën, por më 1 shkurt, lëndova gjurin dhe u desh të operohem. Pak kohë më pas pyeta sërish për rinovim të kontratës, por hasa në heshtje. Nga fillimi kam dashur të bashkëpunojë dhe të pranojë reduktim të pagës, por klubi donte të pranoja një reduktim më të madh pasi isha në pushim mjekësor. Unë gjithmonë kam dashur të qëndroj te Valencia, por nuk varet nga unë”, ka shkruar Garay në rrjetet sociale.

Ai ka shtuar se do të largohet nga Mestalla në verë.

“Lamtumira ime vjen nga zemra, pasi besoj se jam njeri i mirë dhe mendoj se e keni merituar të dini të vërtetën. Unë dua të them se gënjeshtrat besohen lehtësisht, por për fat të mirë e vërteta del në shesh gjithmonë”, ka shtuar Garay.

Garay ishte në mesin e lojtarëve të Valencias që ishin prekur nga COVID-19.