Sport

Izolimi nga koronavirusi ia nxori në pah Gashit talentin në shumë sporte

Descriptive Text

Mirland Gashi njihej nga një rreth i ngushtë për talentin e tij në sport. Pak e dinin se ai ka aftësi në shumë sporte. E talentin e tij e nxori në pah gjatë izolimit gati tremuajsh shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Ai është trajner i gjimnastikës, por goxha mirë e njeh dhe praktikon edhe sportin e atletikës, fitnesit, parkurit, pingpongut, hendbollit, futbollit dhe notit.

Shumicën prej tyre Gashi i ka paraqitur në një video prej 30 sekondave me pajisje të improvizuara nga druri e gjësendet shtëpiake në një prej hapësirave të shtëpisë së tij. Me videon e publikuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Gashi doli fitues i kampanjës digjitale shpërblyese të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), e nisur më 2 prill, dhe e realizuar më 6 prill për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe. Ai e fitoi garën me rreth pesë mijë pjesëmarrës të tjerë në kampanjën “Rri n’shpi, bëj sport, kënaqu...fito”. Videoja më e pëlqyer ishte ajo e Gashit.

Gashi fton t’i shikojnë videot e tij, por jo edhe t’i praktikojnë, nëse nuk kanë përgatitje fizike, meqë thotë se nuk janë të lehta për t’i bërë e ndoshta edhe të rrezikshme. Për epitetin e videos më të mirë ai ka marrë edhe me dhjetëra mesazhe pozitive gjatë kohës së pandemisë, ku njëkohësisht është marrë edhe me shumë aktivitete. Gashi ka parë edhe sportistë e persona të ndryshëm që kanë provuar në forma të ndryshme ta kalojnë kohën në izolim, shkruan KOHA.

Ai është gëzuar shumë që disa prej tyre janë marrë me zbavitje të njerëzve nëpërmjet humorit, këngës nëpër rrjetet sociale. Ai përshëndet secilin person që ka mundur që sadopak t’ua bëjë më të lehtë njerëzve karantinimin me ushtrime të improvizuara nëpër shtëpitë e tyre. Por ai nuk e fsheh gëzimin që videot e tij kanë marrë pëlqime të shumta nga njerëzit.

“Këto lloj ushtrimesh është vështirë t’i bësh, sepse shumë lehtë mund të lëndohesh nëse nuk ke përgatitje të mirë fizike. Më ka ndihmuar gjimnastika, për këtë arsye e kam pasur më të lehtë realizimin e ushtrimeve”, thotë Gashi.

E tashmja me sport lidhet me të kaluarën. Sportist i dalluar thotë se ka qenë edhe si nxënës në shkollën fillore “Isa Boletini” në Irzniq e në shkollën e mesme “Tafil Kasumaj” në Deçan.

Nënkampion në gjimnastikë

“Me sport merrem që nga mosha 13-vjeçare. Kam qenë i përzgjedhur nga arsimtarët e profesorët e edukatës fizike në shkollë fillore dhe të mesme. Në futboll, në pingpong, në hendboll. Në çfarëdo lloj sporti që shkolla ime ka marrë pjesë, unë kam qenë i përzgjedhur gjithmonë”, mburret Gashi me të kaluarën e tij.