Sport

Rangersi firmos me Hagin

Klubi i famshëm skocez, Rangers, ka kompletuar marrëveshjen për lojtarin e krahut të Genkut belg, Ianis Hagi.

Këtë e ka bërë të ditur klubi belg të martën mbrëma.

Reprezentuesi i Rumanisë, Hagi, kishte kaluar te Rangersi në formë huazimi në janar, ndërsa marrëveshja ishte e vlefshme deri në fund të edicionit. Ai është djali i legjendës rumune, Gheorghe Hagi.

Rangersi kishte opsionin për të blerë futbollistin pas përfundimit të huazimit. Nuk është bërë e ditur shuma e dëmshpërblimit nga Genku, që i ka dëshiruar lojtarit fat në karrierën e mëtejme. Mediat skoceze kanë shkruar se transferimi i ka kushtuar pesë milionë euro klubit të drejtuar nga legjenda Steven Gerrard.

Hagi ka shënuar tri gola në 12 paraqitje për Rangersin, duke përfshirë dy në rikthimin ndaj Bragas në Ligën e Evropës. Futbolli në Skoci është pezulluar më 13 mars.