Sport

Lojtarët e Premier Leagues përballen me 25 për qind më tepër rrezik nga lëndimet

Lojtarët e Premier Leagues së Anglisë do të jenë 25 për qind më tepër të rrezikuar nga lëndimet kur të rifillojë futbolli. Kjo për shkak të orarit të ngarkuar dhe po ashtu pushimit të gjatë, shkruan BBC.

Shefi ekzekutiv i Premier Leagues, Richard Masters, është i bindur se mund të rifillohet në qershor. Do të duhet po ashtu të gjendet hapësirë për FA Cupin para se të fillojë stinori 2020-21 në fund të gushtit apo shtator.

Premier League po pritet të rifillojë më 20 qershor. Bazuar në këtë datë lojtarët e Manchester Cityt do t’i kenë 13 ndeshje në 49 ditë.

City ka luajtur një ndeshje më pak se shumica e klubeve të Premier Leagues para se të pezullohej futbolli. Në këto shifra nuk janë përfshirë edhe ndeshjet e Ligës së Kampionëve.

Hulumtimi i bërë nga platforma e inteligjencës artificiale “Zone 7”, që është e specializuar në parashikimin e rrezikut të lëndimeve dhe punon me 35 klube profesioniste të futbollit në mbarë botën, ka treguar se të luash tetë ndeshje brenda 30 ditëve rritë rrezikun e lëndimeve për 25 për qind, krahasuar me katër apo pesë ndeshje brenda një harku të njëjtë kohor.

Tetë ndeshje brenda 30 ditëve mund të jenë të zakonshme, por vetëm 4 për qind e lojtarëve në një stinor luajnë gjatë një serie të tillë të ndeshjeve.

Nuk është vetëm orari i ngarkuar që paraqet rrezik, por edhe koha e shkurtër për skuadrat për të kaluar nga stërvitjet individuale dhe ato me respektim të distancës sociale për në stërvitje grupore të intensitetit të lartë.

Një shqetësim për këtë kanë shprehur edhe trajneri i Watfordit, Nigel Pearson dhe ai i Newcastle Unitedit, Steve Bruce.

Bundesliga e Gjermanisë kishte rifilluar stërvitjet intensive më 7 maj, nëntë ditë para rifillimit të kampionatit. Tetë lojtarë u lënduan në gjashtë ndeshje më 16 maj.