Majlinda Kelmendi synon ta fitojë medaljen e artë olimpike në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” që janë shtyrë për vitin tjetër. Ai ka theksuar se do të përgatitet maksimalisht për ta fituar edhe një medalje ashtu siç kishte bërë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ku Kosovës ia pati siguruar medaljen e artë olimpike.
“Ka qenë e paraparë evropiani në prill, por është shtyrë, mirëpo pavarësisht sa do të ketë gara, caku do të jetë olimpiada në Tokio. Jam bërë njëherë fituese e medaljes olimpike dhe do ta bëjë të pamundurën ta mbroj titullin”, ka thënë Majlinda në intervistën dhënë emisionit sportiv të KTV-së “Sporti Total”.
Para se të merrte pjesë në “Rio 2016”, 29-vjeçarja nga Peja e përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike që u mbajtën në vitin 2012 në Londër. Kelmendi dhe xhudistët tjerë elitar të Kosovës janë në izolim në qendrën e klubit Ippon të Pejës shkaku i koronavirusit. “Gjatë karantinës nuk është se më ka munguar diçka përveç familjes. Realisht kam pasur nevojë të qëndrojë në një vend dhe të mos kem gara, pasi që një vit po përballem me disa lëndime. Kam stërvitur por nuk kam mundur të stërvitem 100 përqind. Ne nuk i kemi ndërpre stërvitjet për dallim krejt shteteve në botë shkaku i pandemisë. Po shpresoj që garat e para do të fillojnë në muajin shtator dhe ne do të marrim pjesë menjëherë. Nuk e dimë saktë se ku do të jetë gara e parë shkaku i orarit, por do t’i ndjekim gjitha garat e mëdha”, ka theksuar kampionia evropiane e botërore e xhudos.