Mario Gotze do të largohet nga Borussia Dortmundi në fund të kontratës së tij, këtë verë. Këtë e ka konfirmuar klubi gjerman të shtunën.
Fituesi i Kupës së Botës në vitin 2014, ishte kthyer te Dortmundi në vitin 2016 për 20 milionë funte, pasi ishte lejuar të largohej nga skuadra tri vite më parë për të kaluar te Bayerni.
Ai tani do të jetë në dispozicion për të kaluar në ndonjë skuadër tjetër pa dëmshpërblim.
Gotze nuk ia ka dalë të siguroj vend në ekipin bazë të Dortmundit këtë edicion, nën drejtimin e trajnerit Lucian Favre. Ka shënuar tri gola në 20 ndeshje.
“Ne do të ndajmë rrugët me Mario Gotzen këtë verë”, ka thënë për Sky Germany, Michael Zorc, drejtor sportiv i Dortmundit. “Ishte vendim i dyanshëm dhe i marrë me respekt. Mario është njeri i madh. Është po ashtu lojtar shumë i mirë që vjen nga sistemi ynë i të rinjve. Por është po ashtu në shpirtin e tij që të shikojë për punë të re. Ndoshta jashtë Gjermanisë”.