Sport

Tifozët e Gladbachut vazhdojnë ta mbushin stadiumin me prerje kartoni

Tifozët e skuadrës së Borussia Moenchengladbachut kanë porositur më shumë se tetë mijë prerje kartoni nga vetja për të ndihmuar në mbushjen e tribunave të stadiumit “Borussia-Park”, në rast se Bundesliga rifillon më 9 maj dhe ndeshjet do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura. 

“Borussia-Park” është stadiumi i pestë më i madh në elitën e futbollit gjerman dhe gjatë këtij edicioni, pothuajse në çdo ndeshje që Borussia e ka luajtur në shtëpi ka qenë i mbushur. Stadiumi ka një kapacitet prej 54.014 ulësesh. 

Bundesliga është pezulluar që nga muaji i shkuar, për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit, kurse Borussia zë vendin e katërt në tabelë me vetëm katër pikë më pak se Bayern Muencheni që është lider, transmeton KOHA.

Në fakt, skuadrat gjermane ka disa javë që kanë rifilluar stërvitjet, kurse Bundesliga po e pret lejen nga qeveria për të rifilluar me ndeshjet prej datës 9 maj. Një parakusht për rifillimin e kam pionatit është që ndeshjet të zhvillohen pa shikues, kurse në stadium të mos jenë të pranishëm më shumë se 213 persona. 

Në pamundësi për të dhënë mbështetjen e tyre të zëshme në mënyrën e zakonshme nga tribunat, tifozët e Borussias kanë kontribuuar në fushatën e pazakontë “Qëndro në shtëpi. Bëhu i pranishëm në tribuna”, që ka për qëllim mbushjen e tribunave me prerje kartoni, ku tifozët do të vendosin fytyrat e tyre. 

Gjithashtu, edhe masat e kartonit do të jenë sipas dimensioneve që i kërkojnë tifozët. Një karton i tillë kushton 19 euro dhe me t’u porositur, ai do të instalohet në tribunat e stadiumit, kurse të ardhurat nga shitja do të shkojnë për bamirësi lokale. “Organizatorët e fushatës janë të stërmbushur me porosi, të cilat në disa raste edhe po tejkalohen. Ne mezi po arrijmë t’i instalojmë kartonët në tribuna, pasi ka shumë tifozë që po bëjnë porosi. 

Megjithatë, kjo është një shenjë e mirë se tifozët nuk po duan ta lënë ekipin të vetëm kur të rifillojë sezoni”, ka thënë Thomas Weinmann, përfaqësuesi i tifozëve të Borussia Moenchengladbachut. 

“Por, ne padyshim se jemi të kënaqur me mbështetjen e madhe që po e ofrojnë tifozët. Deri më tash, janë porositur më shumë se tetë mijë kartonë, kurse deri para rifillimit të kampionatit, besoj se gjithë stadiumi do të jetë i mbushur”. Në fakt, tifozët e Gladbachut janë të parët që kanë ardhur me një ide të tillë për ta përkrahur ekipin e zemër kur të rifillojnë garat që janë ndërprerë si pasojë e pandemisë së koronavirusit. 

Gjithashtu, edhe futbollistët, trajnerët dhe anëtarët e tjerë të bordit të Gladbachut ishin prej të parëve në Bundesligë që u pajtuan të heqin dorë nga pagat e tyre për të ndihmuar klubin dhe punonjësit e tjerë.