Sport

Legjenda e gjimnastikës, Biles, shtyn pensionimin edhe për një vit për të garuar në Tokio

Foto: Reuters

Legjenda e gjimnastikës, Simone Biles, ka pranuar se ishte në dyshime nëse mund të stërvisë edhe për një vit pas shtyrjes së Lojërave Olimpike.

Mirëpo, Biles është e vendosur të vazhdojë deri në vitin 2021 dhe të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios. Amerikanja 23-vjeçare, ishte paraparë të pensionohej këtë verë pas Lojërave Olimpike në Tokio. Por, Lojërat Olimpike u shtynë për një vit shkaku i pandemisë COVID-19.

“Është shumë mentalisht e fizikisht., dhe unë kisha dyshime në aftësitë e mia nëse mund të qëndrojë në nivelin më të lartë edhe për një vit”, ka thënë Biles për "BBC". “Por, motivimi im po ma dëshmon se mund të vazhdojë edhe një vit, mund t’ia dal dhe të jem edhe më e mirë se që isha në ‘Rio 2016’”.

Biles është gjimnastja më e suksesshme në histori të Kampionateve Botërore me 19 medalje të arta, tri të argjendta e tri të bronzta. Ajo synon të bëjë histori edhe në Lojërat Olimpike. I ka katër të arta e një të bronztë që i fitoi në "Rio 2016". 

“Unë kam qarë kur dëgjova lajmin. Nuk e dija se nga të filloja. Qartë se ka probleme më të mëdha sesa shtyrja e Lojërave Olimpike. Por, unë isha e gatshme që pas tre muajve të jap më të mirën dhe të largohesha nga sporti. E kisha bërë mendjen gati për katër vjet. Është e vështirë kur ndryshohen gjërat. Kështu që ishte e vështirë që duhet t’ia nisja nga fillimi”, thotë Biles.

Biles pranon se kishte shqyrtuar që të mos vazhdonte deri në vitin 2021.

“Kisha dyshime. Por, ndjej se nuk kam ardhur kaq larg për t’u dorëzuar dhe unë dua të jem ajo që vendos se kur do të largohet nga sporti”, thotë gjimnastja.

Në moshën 23-vjeçare, Biles e përshkruan veten si “mjaft të vjetër” për një gjimnaste në SHBA, ku femrat në sport tradicionalisht kanë garuar për një cikël olimpik para se të pensionoheshin ende në rini. Vitet e stërvitjeve të forta ndikojnë fizikisht. Mirëpo, Biles thotë se aspekti mental do të jetë sfida më e madhe për të.

Mirëpo, Biles thotë se synimi i saj është të paraqitet më mirë se në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro në vitin 2016, kur fitoi katër të arta dhe një të bronztë.

“Trupi im disi po thyhet në këtë pikë. Edhe një vit tjetër në gjimnastikë është ndëshkim i madh për trupin. Trajneri e mi do të më përgatisin fizikisht, por nëse mendjen nuk e ke në nivelin e duhur, atëherë mund të lëndohesh fizikisht. Ne bëjmë shumë ushtrime të forta dhe do të thyesh ndonjë gjë nëse nuk je maksimalisht e përqendruar. Fizikisht jam më mirë se që isha në Rio, kështu që kjo është diçka pozitive. Por, duhet të jem e përgatitur mentalisht. Kjo do të jetë gjëja më e vështirë. Unë isha fillestare në Rio dhe tash jam ‘veterane’. Në një mënyrë, paraqitja e dytë është më e frikshme pasi ka pritje të mëdha. Ka shumë presion dhe asnjëri nuk na kupton vërtetë. Në fund të fundit kjo është jeta jonë, kjo është mënyra se si i bëjmë paratë, kjo është se si ecim para dhe si njihemi. Kur shkoj për të garuar unë i bëjë presion vetes dhe asnjë tjetri. Pasi e di se sa fortë kam punuar. Dua të paraqitem mirë. Dua të kem sukses”, ka thënë Biles.