Sport

Messi i quan “lajme të rreme” raportet për kalim te Interi

Ylli i futbollit, Lionel Messi, i ka quajtur raportimet që e kanë lidhur atë me një kalim te Interi si “lajme të rreme”.

Sulmuesi i Barcelonës ka përdorur rrjetet sociale për të hedhur poshtë spekulimet gjithnjë në rritje për të ardhmen e tij në klub. Disa media kanë shkruar edhe për mundësinë e kalimit të Messit te Newell’s Old Boys në Argjentinë.

Messi e ka shkruar “gënjeshtra numër një” dhe “gënjeshtra numër dy” për një postim të TNT Sports, që gjithashtu bënte pyetje për atë nëse superylli ka paguar për lirimin me kusht të Ronaldinhos nga burgu në Paraguai.

“Ajo që kanë shkruar në këtë medium për Newellin, javë më parë, po ashtu është gënjeshtër. Falë Zotit askush nuk iu beson atyre”, ka shkruar Messi.

Sipas Sky Sports, Messi (32) është i frustruar me raportimet e shumta dhe të pasakta për të ardhmen e tij.

Ai ka pasur mospajtime me drejtues të Barcelonës në muajt e fundit, por Sky Sports ka raportuar se Messi do të qëndrojë në klub të paktën deri në fund të kontratës aktuale, që përfundon në vitin 2021.

Barcelona është e interesuar të diskutojë me argjentinasin për vazhdim të kontratës. Aktualisht prioritet është gjendja e krijuar pas pandemisë.

Messi dhe lojtarët tjerë të Barcelonës janë pajtuar për ulje të pagës prej 70 për qind për të ndihmuar klubin që të mbajë stabilitetin financiar.