Sport

Gaethje në vend të Khabibit, UFC organizon ngjarjen e 18 prillit

Ngjarja UFC 249 do të mbahet, por pa yllin Khabib Nurmagomedov pjesë të saj.

Pronari i UFC-së, serisë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera (MMA), Dana White ka konfirmuar se më 18 prill në kuadër të UFC 249 do të takohen Tony Ferguson dhe Justin Gaethje. Gaethje e zëvendëson Khabibin e famshëm në përballjen ndaj Fergusonit.

Kampioni i pamposhtur i kategorisë së lehtë, Khabib Nurmagomedov, ka mbetur në Rusi për shkak të izolimit të këtij vendi në tentim për të ndalë përhapjen e koronavirusit. Kështu për herë të pestë ka dështuar përballja e tij me Fergusonin, që po ashtu është luftëtar shumë i njohur i UFC-së.

Pas dështimit të luftës mes tyre, Dana White ka thënë se mbrëmja megjithatë do të mbahet. Të hënën mbrëma, White ka konfirmuar se Ferguson tani do të përballet me Gaethjen në luftën kryesore të ngjarjes së 18 prillit. Nuk është caktuar ende vendi se ku do të mbahet kjo ngjarje.

White ka thënë se lufta do të mbahet “diku në tokë”. Ajo do të jetë e vlefshme për titullin e përkohshëm të UFC-së në kategorinë e lehtë.

Ferguson ka 12 fitore rresht, që kur pësoi nga Michael Johnson në maj të vitit 2012. Ndërkohë Gaethje ka shënuar tri fitore me nokaut, pas humbjeve nga Edie Alvarez dhe Dustin Poirier. Amerikani 31-vjeçar së fundi në kafaz ishte më 14 shtator të vitit të kaluar.