Viola Peja nuk ka mundësi të dalë për stërvitje jashtë shtëpisë. Është në izolim sikurse edhe shumë sportistë të tjerë të Kosovës që janë detyruar të mbyllen shkaku i përhapjes së pandemisë të koronavirusit.
Por, edhe po të kishte mundësi të dilte nga shtëpia, tenistja Peja nuk do të kishte se ku të stërvitej, meqë në qytetin e saj në Gjakovë nuk ka asnjë fushë të tenisit.
Fushën e tenisit gjatë gjithë karrierës e ka shkelur vetëm gjatë garave, të cilat janë mbajtur gjithashtu jashtë qytetit të saj. E këtë mundësi nuk e kanë as nxënësit e saj, me arsyen e njëjtë, mungesën e një fushe të denjë të tenisit në Gjakovë.
Peja me nxënësit e saj stërvitjet, para se të merrej vendimi i Qeverisë (13 mars) për pezullim e të aktiviteteve sportive në gjithë vendin, i ka zhvilluar në një fushë që nuk ka të bëjë me sportin e tenisit.
“Nuk kishim kushte aq të mira për shkak që nuk kishim një fushë tenisi. Ne ushtronim në fushë nga tapeti, në të cilën topi nëpër disa pjesë të saj nuk kërcente fare. Nga aty kam dalë kampione. Pas disa vjetëve filluam të ushtronim në sallën sportive të gjimnazit ‘Hajdar Dushi’, në parket, e cila është një fushë që nuk u përshtatet fare kushteve të fushës së tenisit. Aty topi kërcen dhe rrëshqet më ndryshe sesa në një fushë prej betoni apo prej rëre”, thotë ajo.
Në pamundësi që të dalë për stërvitje, klubi i tenisit “Sporek”, në rrjetin social Facebook, tashmë e ka bërë fushatën “Ushtroni çdo ditë nga shtëpia”, ku tenistët postojnë videot e ushtrimeve që ata i bëjnë në kushte shtëpiake... (Artikullin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Regjistrohu falas)