Garat e tenisit të planifikuara për vazhdim të këtij viti mund të mos mbahen fare për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kështu ka thënë të martën Craig Tiley, shef ekzekutiv i Federatës së Tenisit të Australisë, raporton BBC.
Turnetë e ATP-së dhe WTA-së janë pezulluar deri më 7 qershor, pasi shumë vende mbyllën kufijtë në tentim për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
“Qëndrimi im personal është se do të jetë shumë vështirë që garat e tenisit të mbahen këtë vit”, ka thënë Tiley.
“Garat e tenisit varen shumë nga udhëtimi global dhe unë mendoj që kjo do të jetë e fundit që do të kthehet në normalitet. Unë mendoj që sportet që kanë fokus të brendshëm janë në pozitë më të përshtatshme se sportet me fokus global. Do të jetë më sfiduese për sporte si tenisi që të vazhdojnë me gara këtë vit”.