Sport

Ushtrimet e Ramadanit në izolim, “arena” e atletikës në oborrin e shtëpisë

Muhamet Ramadani vlerësohet prej sportistëve më perspektiv në vend. Atleti i ri nga Mitrovica ka fituar medaljen e vetme për Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj që është mbajtur vitin e kaluar.

17-vjeçari ka fituar edhe medalje tjera në hedhje të gjyles, sidomos në kampionate ballkanike për të rinj. Ndërkohë synimi i tij është norma olimpike për Lojërat e vitit 2024, raporton Koha.net.

Ramadani vlerësohet për përkushtimin dhe punën e madhe që e bënë, por njëjtë si gjithë sportistët tjerë, po ka vështirësi për të mbajtur formën në izolim.

Për të luftuar përhapjen e koronavirusit, janë pezulluar të gjitha aktivitetet sportive në vend. Janë mbyllur stadiumet e palestrat dhe po ashtu sallat e fitnesit në gjithë vendin. Kjo ka bërë që shumë sportistë të mundohen me ushtrime në shtëpi të mbajnë formën.

Ramadani po i vazhdon stërvitjet në oborrin e tij. Ai për trajner e ka babain e tij, Shabanin. Së bashku në oborr kanë ndërtuar një rreth, të ngjashëm me atë në arenat e atletikës, prej të cilit garuesit e hedhin gjylen.

Rrethi i improvizuar po i kryen punë Muhametit për të bërë ushtrime të rregullta. Në të njëjtën kohë po iu përmbahet, thuajse plotësisht, këshillave për të qëndruar në shtëpi.

“Një terren për hedhje të gjyles e kemi improvizuar në oborr, prapa shtëpisë. E kemi ndërtuar para dy vjetësh rrethin, por është dëmtuar me kohë. Tani jemi të shtyrë që të vazhdojmë stërvitjet në shtëpi dhe e kemi punuar rrethin edhe një herë. Po më shërben shumë, aty po i zhvilloj stërvitjet dhe po ecin mirë”, ka thënë Ramadani për Koha.net, të hënën.

“Zakonisht i bëjë 40 deri në 45 hedhje brenda një seance stërvitore. Në oborr po ushtroj edhe me pesha, por nuk kemi mjaftueshëm pesha. Për mungesë të peshave kam një rënie të lehtë në formë, por që besoj se nuk është për t’u shqetësuar. Me t’u kthyer në stadium dhe në sallën e fitnesit besoj se çdo gjë do të jetë në rregull”, ka shtuar atleti i ri mitrovicas.

Gara e ardhshme e tij duhet të jetë në qershor, një kampionat ballkanik për të rinj. Në verë Ramadani ka planifikuar të garojë edhe në një kampionat botëror, por i cili është shtyrë tashmë për shkak të koronavirusit.

“Shpresoj që shpejtë të kthehem në gara dhe të vazhdoj rrugëtimin e nisur. Por fillimisht shpresoj që shpejtë të kalojë kjo situatë me koronavirusin dhe të kthehemi të gjithë sportistët në arenat tona”, thotë ai.

 

Image