Sport

Sporti Total me intervista të veçanta për situatën e pandemisë

Në një situatë të jashtëzakonshme në vend dhe në botë, Sporti Total sjell edicionin e veçantë dhe të jashtëzakonshëm nga sporti vendor.

Të gjitha aktivitetet sportive janë pezulluar jo vetëm në vend por edhe në botë, përveç në Bjellorusi, atje ku po vazhdon të mbahet kampionati i rregullt i futbollit, e madje me shikues.

Në këtë vend, luajnë edhe dy futbollistë shqiptarë, Azdren Lluallku dhe Elis Bakaj, të cilët po paraqiten me skuadrat e tyre në kampionatin e Bjellorusisë, që sapo ka nisur sezonin e ri.

Llullaku vjen me një rrëfim special në një intervistë për Sportin Total, duke bërë të ditura informacionet e fundit nga vendi i vetëm që po luhet futbolli aktiv në botë.

Sporti Total do të veçohet edhe me disa intervista të tjera nga sportistët kosovarë.

Valdrin Sylejmani futbollisti i ri i Kosovës te Hannover ’96 në Gjermani, flet për shërimin e tij nga koronavirusi. Etrit Berisha, portieri i kombëtares shqiptare ka folur për kohën e izolimit në Itali, vendin më të prekur në Evropë nga virusi fatal.

Pasi ishin në turneun kualifikues të boksit për Lojërat Olimpike, në Londër, ekipi i boksit u fut në karantinë posa arriti në kryeqytet. Në Londër, dolën që ishin 6 boksierë e anëtarë ekipesh të prekur me koronavirus, në vendin ku merrnin pjesë edhe boksierët kosovarë. Për këtë rast Sporti në KTV ka biseduar me boksieren më të mirë të vendit Donjeta Sadiku, e cila ishte atje dhe e fitoi një meç, në rrugën drejt kualifikimit për Olimpiadë.

Një tjetër tregim interesant vjen nga portieri kosovar Betim Halimi, i cili luan në Ukrainë, ndërsa për situatën në basketbollin vendor, do të flasë edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.

Të gjitha këto e më shumë, të dielën në Sportin Total të KTV-së, nga ora 22:15.