Sport

Karriera e Bashës në Australi, njëri prej vendeve që i fundit pezulloi kampionatin

Përhapja e madhe e koronavirusit në mbarë botën pothuajse ka pezulluar të gjitha aktivitetet sportive, përfshirë këtu edhe futbollin.

Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit ditë më parë reagoi edhe Australia, që përfundimisht mori vendim për pezullimin e kampionatit që ndryshe njihet si A-League.

Në fakt, në këtë kampionat pati ndeshje që u zhvillua të mërkurën, por pa praninë e tifozëve. Ky ishte edhe vendimi i Federatës së Futbollit të Australisë për futbollin, që ishte e vendosur për ta përfunduar kampionatin por pa praninë e tifozëve në tribuna, transmeton KOHA.

Megjithatë, përhapja e koronavirusit edhe në Australi ka detyruar Federatën e Futbollit që të reagojë. Tash për tash kampionati është pezulluar me shpresën që të rifillojë muajin e ardhshëm, më 22 prill. Por, as kjo datë nuk është shumë e sigurt. Deri më tani në futbollin australian janë zhvilluar 22 xhiro.

E këtij vendimi për pezullimin e kampionatit i është gëzuar edhe mesfushori nga Kosova, Migjen Basha. 33-vjeçari është pjesë e ekipit Melbourne Victory, të cilit iu bashkua në vitin e shkuar pas një karriere të gjatë në Evropë. Për Bashën vazhdimi i kampionatit në Australi përderisa bota po përballet me parandalimin e koronavirusit ishte plotësisht i pakuptimtë.

Por, vendimi i ri tashmë e ka qetësuar si Bashën ashtu edhe futbollistët e tjerë që bëjnë karrierë në Australi, përfshirë këtu edhe sulmuesin kosovar Besart Berisha, që aktivizohet te Western United FC. Në Australi numri i të infektuarve ka shkuar gati në një mijë, kurse kanë vdekur rreth dhjetëra persona nga ky virus.

“Sigurisht që do ishte shumë e pazakontë të luhet kampionati në Australi në këtë situatë të kapluar nga kjo pandemi. Përhapja e madhe e koronavirusit në Evropë ka bërë që të ndalen të gjitha kampionatet dhe një vendim i tillë është dashur të merrej edhe tek ne më herët. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë”, tha Basha. “Do të ishte problem që të luhej në një kohë të vështirë. Kështu që, duke parë gjithë këtë situatë, u vendos që edhe në Australi të pezullohet kampionati që për mua është vendimi më i mirë i mundshëm. Tash do të presim dhe të shohim se si do të shkojë e gjithë kjo situatë”.

Në edicionin e tij të parë në futbollin e Australisë, Basha deri para pezullimit të kampionatit ka regjistruar 29 paraqitje në të gjitha garat, duke realizuar dy gola dhe duke bërë një asistim.

Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në “E Diela me Kohën Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.