Sport

Pandemia ndërpreu rikthimin e fuqishëm të Pejës në basketbollin kosovar

Pas triumfit në Kupën e Kosovës në basketboll, te KB Peja po bëheshin gati që këtë edicion ta mbyllnin në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe me dy trofe të tjerë – titullin e Ligës Ballkanike (BIBL) dhe të Superligës së Kosovës në basketboll.

Ky ishte skenari që parashihej te Peja, që synonte të bënte rikthimin e fuqishëm në basketbollin e Kosovës. Suksesi në Kupën e Kosovës bëri që Peja të marrë përsipër edhe organizimin e fazës finale “Final Fourit” të BIBL-it, që ishte parashikuar të mbahej më 31 mars e 1 prill në palestrën “Karagaçi”.

Ndërsa, pak javë më vonë pritej të fillonte edhe faza e plejofit të kampionatit kosovar, transmeton KOHA.

Megjithatë, përhapja e koronavirusit prishi synimet që Pejës për këtë edicion. Më datën 13 mars kur edhe u paraqitën rastet e para të prekura me koronavirus në Kosovë, të gjitha aktivitetet sportive, përfshirë këtu edhe kampionatin e basketbollit, u pezulluan për kohë të pacaktuar.

Megjithatë, duke pasur parasysh situatën aktuale të shkaktuar nga kjo pandemi, edicioni në basketboll pritet të pezullohet tërësisht, që do të thotë se nuk do të kenë kampionë në asnjë gjeneratë, përfshirë këtu edhe Superligën.

Vendimi për pezullimin e kampionatit pritet të merret gjatë këtyre ditëve nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK). Me këtë vendim, skuadra e Pejës duhet të kënaqet me vetëm një trofe, atë të Kupës së Kosovës.

Në fakt, Peja këtë edicion u rikthye në gara, pasi edicionin e shkuar e pushoi aktivitetin. Me kthimin e Pejës, këtë edicion edhe Superliga e Kosovës ishte dukshëm më interesante, pasi investimet te të gjitha klubet, në veçanti te pejanët ishin të mëdha.

Në ekip u rikthye edhe Dardan Berisha, pas gati shtatë vjetësh dhe të gjithë haptazi deklaruan se synimi i Pejës këtë edicion ishte rrëmbimi i të gjithë trofeve të mundshëm. Deri para pezullimit të garave, në Superligën e Kosovës ishin zhvilluar 24 xhiro, kurse Peja ishte e katërta në tabelë me 39 pikë të tubuara, tri më pak se Sigal Prishtina si lidere.

Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.