Sport

Klube të Premier Leagues tani duan të anulohet edicioni

Numër gjithnjë e më i madh i klubeve të Premier Leagues duan të anulohet edicioni aktual, ndonëse javën e kaluar u pajtuan për të vazhduar kampanjën.

I tërë futbolli në Angli është i pezulluar deri më 30 prill për të shkak të përhapjes së koronavirusit, që e ka goditur rëndë sportin në gjithë botën.

Tani figura të rëndësishme në klubet angleze besojnë se “nuk ka vend për sport në këtë moment”, ka raportuar The Athletic.

Liverpoolit i duhen vetëm edhe dy fitore për të siguruar titullin e parë që nga viti 1990. Por plani për të anuluar stinorin, që duhet të përkrahet nga 14 prej 20 klubeve, do të prishte planin e Liverpoolit për t’i dhënë fund pritjes 30-vjeçare.

Sipas Daily Mail, një zyrtar i lartë i një klubi ka thënë: “Është absolutisht e qartë se çka do të ndodhë. Është pandemi, ka prekur gjithë botën. Covid – 19 do të sjellë situatë edhe më të keqe këtu në Britani. Kështu që nuk ka të bëjë me kthimin e lojtarëve në stërvitje. Nëse të gjithë qëndrojmë në shtëpi dhe të izoluar për dy-tre muajt e ardhshëm, do të kalojmë këtë më lehtë. Ne dukemi si fëmijë qesharak tani. Unë besoj se atë që po bëjmë është e gabuar”.

Zyrtari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, ka thënë se nuk do të jetë e mundur që të luhen nëntë ndeshjet e fundit të edicionit edhe në shtator. Daily Mail ka shkruar se zyrtari në fjalë ka thënë se edicioni duhet të anulohet pavarësisht pasojave dhe që tjetri edicion i Premier Leagues duhet të filloj në vjeshtë.

NJë takim tjetër i klubeve të Premier Leagues është caktuar për 3 prill. Nuk është luajtur asnjë ndeshje që Premier League që nga 9 marsi.