Sport

Starti i furishëm që mban ende gjallë ëndrrën evropiane

Descriptive Text

Futbollistët e përfaqësueses së Kosovës në futboll të enjten në mbrëmje është dashur ta zhvillojnë ndeshjen e plejofit të Ligës së Kombeve në Shkup kundër atyre të Maqedonisë së Veriut. Por kjo ndeshje kualifikuese e datës 26 mars, e vlefshme për të vazhduar rrugëtimin për Evropian, tashmë është shtyrë për datën 4 qershor të këtij viti pas përhapjes masive të pandemisë së koronavirusit.

Vendimi për shtyrje të kësaj ndeshjeje dhe Evropianit për verën e vitit të ardhshëm është marrë ditë më parë nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA). Edhe pse nëpërmjet ciklit të rregullt kualifikues Kosova përfundoi e treta në grup, sërish mbetet ende në garë për ta siguruar biletën drejt Evropianit, por nëpërmjet Ligës së Kombeve.

Në rast se arrin ta fitojë gjysmëfinalen e më pas edhe finalen, atëherë “dardanët” do ta sigurojnë biletën për tashmë “Euro 2021” dhe do të shkruajnë historinë. Por, i gjithë ky rrugëtim nisi furishëm saktësisht para dy vjetësh, shkruan Koha Ditore.

Më 27 mars të vitit 2018, përfaqësuesja e Kosovës shënoi fitoren e tretë rresht, që vlerësohej seria më e mirë e saj pas ciklit zhgënjyes prej nëntë humbjeve rresht në dhjetë ndeshje të luajtura në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2018”. Fitorja e Kosovës në ndeshjen miqësore ndaj Burkina Fasos (2:0), të zhvilluar në "Stade Municipal Jean Rolland" të Francovillet, në afërsi të Parisit, ishte e dyta brenda katër ditësh nën udhëheqjen përzgjedhësit zviceran Bernard Challandes. Ndër më të dalluarit në këtë ndeshje pa dyshim se ishte mbrojtësi i krahut të majtë Leart Paqarada. Ai fillimisht asistoi në golin e parë të shënuar nga sulmuesi Vedat Muriqi (74’) dhe më pas e vulosi rezultatin e ndeshjes me golin e realizuar nga gjuajtja e lirë në minutën e 90-të.

Për Paqaradën, që është pjesë e klubit Sandhausen, që garon në Bundesligën 2 të Gjermanisë, ndeshja kundër Burkina Fasos do të mbetet kujtim i paharruar. Në fakt, në këtë ndeshje ai realizoi golin e parë me Kosovën.

“Golin e parë me fanellën e Kosovës nuk do ta harroj asnjëherë. Më kujtohet kur u bë goditja e lirë. Lojtari i Burkina Fasos u ndëshkua me karton të kuq dhe kaluan disa minuta derisa unë gjuajtja. Kisha kohë të mendohesha se si do të gjuaja. Më kujtohet që edhe Bersant Celina qëndronte afër meje dhe dëshironte të gjuante edhe ai. Pas një bisede prej 2-3 minutave, i kërkova që unë ta gjuaj, sepse e kisha një ndjenjë të mirë se do të shënoja pas asistimit në golin e parë. I premtova Bersantit se po të gjuaja do të shënoja. Ashtu edhe ndodhi. Mora përqafimin e gjithëve dhe ai gol më bën krenar dhe të lumtur”, ka thënë të enjten Paqarada për gazetën. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas)