UEFA ka insistuar se askush nuk ka kërkuar që të shtyhet Kampionati Evropian i futbollit i këtij viti, por njoftohet se të enjten një kërkesë të tillë do të bëjë Serie A e Italisë, Bundesliga e Gjermanisë, La Liga e Spanjës dhe Ligue 1 e Francës, njofton agjencia ANSA të mërkurën, transmeton Koha.net.
Evropiani është paraparë të nisë më 12 qershor në Romë, gjë që është praktikisht e pamundur që ligat të mbyllin stinorin me kohë duke marrë parasysh shtyrjet që janë bërë për shkak të koronavirusit.
Italia ka ndaluar gjitha aktivitetet sportive deri më 3 prill, ndërsa Asociacioni i Lojtarëve të Spanjës ka kërkuar një lëvizje të ngjashme nga La Liga. Ndërkohë Bundesliga e Ligue 1 e Francës po luajnë disa ndeshje pa shikues.
Njoftohet nga agjencia ANSA se të enjten do të mbahet një video-konferencë mes përfaqësuesëve të pesë ligave të mëdha dhe sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s, Giorgio Marchetti.
Besohet se shumica – me përjashtim të Premier Leagues së Anglisë – do të kërkojnë nga UEFA të shtyjë Euro 2020 për disa javë apo edhe për një vit.
Nëse Evropiani nuk shtyhet, atëherë ligat duhet të gjejnë një mënyrë për të mbyllur stinorin. Në Itali është propozuar një sistem plejofi për të caktuar kampionin dhe klubet që largohen nga elita.