Në fillim të këtij muaji Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) pati njoftuar për organizimin e një aktiviteti që do të mbahej këtë vikend në Prishtinë.
Por frika nga përhapja e koronavirusit ka detyruar FBK-në, që në koordinim me FIBA Evropën të marrin vendim për shtyrjen e turneut për zhvillimin e grumposhtave (U14 dhe U15) në të dyja konkurrencat për në një kohë të pacaktuar. Në këtë turne, që do të mbahej nga 13 deri në 16 mars dhe në kuadër të FIBA Evropës, pjesëmarrëse krahas Kosovës si nikoqire ishin edhe Turqia, Bullgaria, Maqedonia e Rumania.
“Turneu është shtyrë për shkak të sigurisë së fëmijëve, pra paqartësisë për raste të koronavirusit në vendet tona përkatëse dhe shkaku i pengesave në fluturime. Mbetet të shihet, por sinqerisht, me udhëzimin e parë që na vjen është mirë të ndalohet hyrja e publikut, sado që është e dhimbshme”, ka njoftuar të hënën për “Kohën Ditore” kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.
Fetahu, po ashtu, ka njoftuar se është shtyrë edhe vizita e zyrtarëve të lartë të FIBA-s për Kampionatin Evropian të grupmoshës U-16, që është planifikuar të organizohet po ashtu në Prishtinë gjatë kësaj vere.
“Mbesim në përcjellje të situatës dhe do të vendosim përkitazi”, ka shtuar Fetahu.
Në të vërtetë, deri tash në Kosovë nuk është paraqitur asnjë rast i infektuar me koronavirus. Kjo u konfirmua të hënën në konferencën për media edhe nga ministri i Shëndetësisë (MSHK), Arben Vitia, e po ashtu edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK).
Nga institucionet e vendit nuk është dhënë ndonjë rekomandim që aktivitetet sportive të pezullohen apo të zhvillohen pa praninë e shikuesve, sikurse në shumicën e vendeve të Evropës...(gjerësisht në Kohën Ditore)